E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi e korrupsioni, Ina Rama bën të ditur rekomandimet e qeverisë

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama me prezencën e Ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani i ka dhënë sot prokurorëve të rretheve, rekomandimet e Qeverisë shqiptare në lidhje me luftën kundër krimit dhe korrupsionit për vitin 2010.
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama iu ka bërë të njohur në një takim drejtuesve të Prokurorive në rretheve, rekomandimet e Këshillit të Minsitrave, të cilat duhen mbajtur parasysh për vitin 2010 në luftën kundër kriminalitetit. Sipas sja disa nga rekomandimet e qeverisë janë lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve si dhe roli i prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve.
Sipas Qeverisë, kjo nuk mund të arrihet pa rivendosur ritmin e përshpejtuar të punës në gjithë administratën qëndrore, të ekzekutivit dhe pa bashkëpunimin ligjor të çdo institucioni të pavarur dhe ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit me institucionet e specializuara ndërkombëtare në luftën kunder krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Në këto rekomandime Qeveria porosit që veprat penale kundër korrupsionit duhet të jenë prioritet për organet e prokurorisë duke e konsideruar korrupsionin si gangrenë dhe asfiksues për funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë. Gjithashtu rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit mbetet forcimi i disiplinës fiskale, zbatimi i plotë i ligjit të cilat do të sjellin efekte në reduktimin e ndjeshëm të asaj pjese të ekonomisë informale që është e zezë dhe kriminale, gje e cila nuk mund të realizohet pa angazhimin e prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›