E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë në politikë, 30%-shi futet në Kod

Nënkomisioni për Shanset e Barabarta dorëzon paketën. Ndërkohë, grupi i punës përfshin përqindjen e grave në Kod

TIRANË- Sanksionimi në Kodin e ri Zgjedhor i formulës që u garanton grave përfshirjen me 30% në listat e kandidatëve për deputetë, është vetëm çështje kohe. Paketa e përfunduar dje në mesditë nga Nënkomisioni për Shanset e Barabarta është depozituar për diskutim në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Por paralelisht me draftin e depozituar dje, grupi i punës i komisionit për reformën zgjedhore në nenin që bën fjalë për listën e kandidatëve të partive politike dhe koalicioneve zgjedhore, ka përfshirë më në fund edhe një paragraf ku thuhet se, për çdo zonë zgjedhore të paktën 30% e listës shumemërore ose/dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini, pikë e cila pritet të diskutohet zyrtarisht sot nga anëtarët e Komisionit për Zgjedhjet. Ndërsa, paketa e propozuar nga nënkomisioni parashikon në mënyrë të hollësishme (përmes disa tabelave) përcaktimin e një renditjeje të tillë të emrave në listë në mënyrë që numri i kandidateve fituese të jetë përafërsisht i barabartë me raportin edhe të kandidimit midis meshkujve dhe femrave. Përfaqësimi i grave do të jetë i detyrueshëm edhe për përbërjen e KZZ-ve dhe KZQV-ve. Kështu, në paketën ligjore të përfunduar nga Nënkomisioni për Shanset e Barabarta, thuhet se partitë politike duhet të përzgjedhin anëtarët e KZZ-ve duke respektuar përkatësinë e barabartë gjinore në masën mbi 30% të çdonjërit gjini. E njëjta formulë është sanksionuar edhe për anëtarët e KZQV-ve.

Sanksioni

Por projekti i paraqitur për shqyrtim nga Nënkomisioni për Shanset e Barabarta paraqet edhe detyrime ligjore për partitë politike. Në draft, thuhet se kur partitë politike apo koalicionet e partive politike paraqesin një listë që nuk përmbush kriteret e përfaqësimit të barabartë gjinor, atëherë KQZ nuk do të pranojë listën shumemërore, duke lënë një afat pesëditor për propozimet përkatëse. Në rast se pas përfundimit të këtij afati, partitë politike apo koalicionet riparaqesin një listë që sërish nuk përmbush kriteret e kërkuara si më sipër, atëherë KQZ i detyron partitë politike që të paguajnë deri në të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore. Megjithatë, ndryshe nga drafti fillestar, anëtarët e Nënkomisionit për Shanset e Barabarta kanë hequr dorë nga sanksioni i parashikuar pak kohë më parë, në të cilën thuhej se KQZ kishte të drejtë edhe të mos pranonte listën e kandidatëve për atë zonë që nuk ishte respektuar Kodi Zgjedhor.

Paketa e plotë e depozituar dje në Komisionin për Reformën:

Partitë politike të përzgjedhin anëtarët e KZZ-ve duke respektuar përkatësinë e barabartë gjinore në masën mbi 30% të çdonjërit gjini.

Partitë politike propozojnë anëtarët e KZQV-ve duket respektuar përfaqësimin e barabartë gjinor në masën mbi 30% për çdonjërin gjini.

Renditja e kandidatëve në listë përcaktohet nga subjekti zgjedhor që e paraqet atë në një kohë që në çdo grup prej gjashtë kandidatësh. të ketë jo më pak se dy kandidatë nga secila gjini. Në rast se kandidati tërhiqet, atëherë ai plotësohet me kandidatin që vjen më pas në renditje.

Ku partitë politike apo koalicionet e partive politike paraqesin një listë që nuk përmbush kriteret e përfaqësimit të barabartë gjinor, KQZ nuk e pranon listën shumemërore, duke lënë një afat pesëditor për propozimet përkatëse. Në rast se pas përfundimit të këtij afati, partitë politike apo koalicionet riparaqesin një listë që sërish nuk përmbushin kriteret e kërkuara si më sipër KQZ i detyron ato që të paguajnë deri në të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore.

Çfarë thuhet paraprakisht në draftin e Kodit të ri Zgjedhor:

Për çdo zonë zgjedhore, të paktën 30% e listës shumemërore ose/dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›