E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Land-Roveri” i zhdukur i Kuvendit Ish-shoferi: E përdor Ermelinda Meksi

28/11/2011  Prokuroria e mbylli hetimin, gjykata e Tiranës e rihap, detyron akuzën të hetojë 2 drejtimet e zhdukjes

TIRANE- Gjykata e Tiranës detyron Prokurorinë të rifillojë hetimet lidhur me çështjen e “zhdukjes” së një automjeti Land Rover, i cili nga sa mësohet përdoret nga ish-deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi. Dosja ishte pushuar nga Prokuroria, sapo një dëshmitar i kishte përmendur emrin e Ermelinda Meksit, duke shtuar se anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë është përdoruesja e mjetit me targë TR 8700 I., që pretendohet se është në pronësi të shtetit. Vendimi për rifillimin e hetimeve është marrë nga gjyqtari Albert Meça, i cili kërkon zbardhjen e mekanizmit të vjedhjes dhe identitetit të autorëve, që dyshohet se e kanë marrë automjetin nga ambientet e Ministrisë së Integrimit. Në fakt ka qenë pikërisht ky institucion që ka denoncuar mungesën e automjetit tip “Land Rover”, ku në muajin prill 2010 ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal. Pasi ka marrë në shqyrtim kallëzimin e mësipërm, organi i Prokurorisë fillimisht ka mundur të lokalizojë personin që ka tërhequr mjetin, i cili rezulton të jetë shtetasi Donald Bardhi. I pyetur nga Prokuroria lidhur me këtë çështje, ish-shoferi i Ministrisë së Integrimit, më 18 maj 2010, ka sqaruar se automjeti i është dorëzuar në atë kohë deputetes Ermelinda Meksi, e cila e disponon edhe sot. Pas kësaj dëshmie Prokuroria s’ka kryer asnjë veprim hetimor, duke bërë që pikërisht atë ditë të vendosë mosfillimin e hetimeve lidhur me kallëzimin e kryer nga Ministria e Integrimit. Sipas gjykatës, ky veprim është marrë, në një kohë kur s’është kryer asnjë veprim procedural për të verifikuar vërtetësinë e tij, sidomos duke marrë parasysh se kallëzuesi ka pretenduar se automjeti i mësipërm është marrë në dorëzim me fletë-dalje nga i kallëzuari Donald Bardhi. Ndërkohë mbi aktet që ndodheshin në dosje, organi i Prokurorisë ka vendosur mosfillimin e hetimeve duke arsyetuar se fakti nuk përbën elementët e ndonjë vepre penale, por është çështje administrative dhe mund të zgjidhet civilisht në gjykatë. Me këtë vendim nuk është pajtuar Ministria e Integrimit, e cila ka vendosur të kundërshtojë në gjykatë vendimin e Prokurorisë. Kërkesa është marrë në shqyrtim nga gjyqtari Albert Meçe, i cili pasi dëgjoi përfaqësuesen e ministrisë Suzana Xhokaxhiu dhe përfaqësuesin e akuzës, prokurorin Albert Kulici, vendosi të pranojë kërkesën e ministrisë dhe të detyrojë Prokurorinë që të rifillojë sërish veprimet hetimore. Sipas vendimit të gjykatës, gjatë hetimeve Prokuroria e Tiranës duhet të përqendrohet në dy pika kryesore, që janë: zbardhja e mekanizmit të vjedhjes dhe personat përgjegjës, nëse rezulton se sendi është vjedhur, si dhe të qartësojë se cilët janë personat që kanë zhveshur pronarin e ligjshëm nga posedimi i sendit, me çfarë procedure dhe aktesh është bërë kalimi i posedimit dhe nëse nga ky posedim ka apo jo elementë të ndonjë vepre penale. Momentalisht Prokuroria ka tërhequr dosjen penale nga sekretaria e gjykatës së kryeqytetit, duke rifilluar hetimet sipas vendimit të gjykatës. Burimet thonë se ende nuk kanë thirrur ndonjë individ për të dëshmuar, por shtojnë se shumë shpejt do ripyetet Donald Bardhi, dhe se po të jetë e nevojshme do thirret për të dhënë shpjegime dhe Ermelinda Meksi.

Meksi mori Land Roverin 34 milionë kur ishte ministre e Integrimit

Gjykata: Prokuroria qartëson se kush është pronari

Gjykata konstaton se nga tërësia e akteve të paraqitura në gjykim rezulton qartazi se kallëzuesi Ministria e Integrimit pretendon se automjeti Land Rover me targë TR8700L, pavarësisht se figuron në regjistrat e saj, nuk gjendet fizikisht. Nisur nga kjo situatë, organi i Prokurorisë, përveç një korrespondence të cituar më lart, nuk ka kryer asnjë verifikim për të përcaktuar nëse realisht mjeti i mësipërm i përket kallëzuesit apo ndonjë subjekti tjetër. Sipas gjykatës, duke qenë se automjetet, si send i veçantë në qarkullimin civil, regjistrohen në regjistrat përkatës të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, është e domosdoshme të bëhet verifikimi se cili është pronari i këtij mjeti. Në këtë rast, Prokuroria gjatë hetimeve të saj s’ka gjetur as pronarin apo përdoruesin e mjetit. Për këtë shkak, gjykata e shikon të domosdoshme që të qartësohet situata nëse automjeti i mësipërm ka humbur, është vjedhur, është zhdukur apo posedohet nga persona të tjerë. Nga sa mësohet mjeti i lart përmendur është marrë nga Meksi, në periudhën kur ajo mbante postin e ministres së Integrimit. Mirëpo nga urdhri i përbashkët nr. 1266 i datës 16 gusht 2005 i Ministrisë së Integrimit dhe Kuvendit të Shqipërisë rezulton se mjeti me targë TR 8700I i kalon Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë urdhër, në kuadër të reduktimit të shpenzimeve qeveritare, përfshiheshin edhe disa ish-ministra të tjerë socialistë si Gramoz Ruçi, etj, të cilët bënë rezistencë për dorëzimin e makinave të tyre. Ndërkohë që shkresa me nr. 1275 e Ministrisë së Integrimit tregon që i është kërkuar kthimi i mjetit nga ana e shtetases Ermelinda Meksi. Kur kjo e fundit nuk ka dorëzuar mjetin, më 25 janar 2006 ministria ka shpallur zyrtarisht mungesën e “Land Rover”-it, duke e cilësuar atë të zhdukur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›