E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërron pajisjet e puseve të naftës për skrap, arrestohet

28/11/2011  Ndërmarrja e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, shpesh pre e grabitjeve

KUÇOVE- Shkatërron pajisjet e puseve të naftës me anë të sharrimit për t’i vjedhur dhe shitur për skrap, ndërkohë që është arrestuar në flagrancë nga policia për t’u përballur me akuzën. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të sotëm është arrestuar në flagrancë 44-vjeçari Misir Nurja, banues në fshatin Gradisht të rrethit të Elbasanit. I ndaluari mësohet se është arrestuar duke tentuar të vjedhë pajisjet metalike të puseve të naftës me qëllim tregtimin e tyre për skrap. Menjëherë uniformat blu bënë sekuestrimin e pajisjeve dhe bënë ndalimin e 44-vjeçarit. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar dhe pajisjet me gaz, me të cilat autori po shkatërronte një pus nafte, si dhe mjeti i tij tip Iveko me targa të Elbasanit EL 0110 B, me të cilën do të transportoheshin më pas materialet e vjedhura. Materialet e policisë i kaluan organit të Prokurorisë ku autori tashmë do të përballet me akuzën. Zona naftënxjerrëse e Kuçovës kohët e fundit ka rënë shpesh pre e vjedhjeve ku puset e naftës shkatërrohen dhe dëmtohen me qëllim tregtimin e tyre për skrap. Vlen të përmendet se një fenomen i tillë në zonën naftëmbajtëse të Kuçovës janë me qindra deri në këto momente, gjë e cila ka bërë që vitet e fundit të shkatërrohen dhjetëra puse disa prej të cilëve dhe në gjendje pune. S. Gorrica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›