E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Flamurit, kryeqyteti gati për festë

28/11/2011  Bashkia organizon dhjetëra aktivitete festive në rrugët e Tiranës

Atmosfera festive vesh kryeqytetin në 99-vjetorin e Pavarësisë. Aktivitet festive të organizuara nga Bashkia e Tiranës do të çelin siparin në orët e para të mëngjesit me vizitën e kryebashkiakut Lulzim Basha në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ndërsa më pas rrugët dhe sheshi pedonal do të pushtohen nga programet artistike për të gjitha grup-moshat. Duke ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve për ditën e flamurit dhe festën e Çlirimit, zëdhënësja e Bashkisë Anila Bisha ka deklaruar se dita e sotme në Tiranë do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta, ku të gjithë mund të gjejnë atë që duan. Në rrugën “Murat Toptani” çelet panairi “Blej shqip”, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare. Po ashtu ansambli i Tiranës do të shfaq një program me valle të të gjitha krahinave përgjatë rrugës pedonale. Fëmijët do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve për 28 Nëntorin. Në parkun “Rinia” trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e cirkut”. Teatri i Metropolit do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës “TEN” do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë etj. Në bashkëpunim me liceun artistik do të organizohet një ekspozim pikture interaktive me temë “Shqipëria ime”. Aktiviteti do të shoqërohet nga kori i fëmijëve të liceut dhe instrumentistët e Kameratës së Tiranës. Për herë të parë vijnë në mënyre origjinale protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar do të interpretojnë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë etj. Kushdo që ka dëshirë të ketë një foto me këto personazhe mund ta realizojë në këndin e fotografisë para galerisë së arteve. Te Galeria Kombëtare e Arteve do të shfaqet me aparaturë tradicionale, jo dixhitale, në ambient të hapur, filmi “Nëntori i dytë”. Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë. Bashkia e Tiranës fton edhe një herë të gjithë shqiptarët të festojmë së bashku në Tiranë Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë. Në hapje të jubileut të 100-të të pavarësisë së Shqipërisë do të organizohet ekspozita fotografike me ngjarjet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë dhe ngjarje të tjera të rëndësishme ndër vite të lidhura me këtë ditë të gjetura në Arkivin e Shtetit, si dhe me foton e flamurit origjinal të ngritur në Tiranë më 1912, që i përket familjes Mara.

Një panair vetëm me produkte shqiptare

Pjesë e këtyre aktiviteteve do të jetë panairi “Blej shqip”, ku do të tregtohen vetëm produkte shqiptare. Kjo iniciativë ka për synim të promovojë produktet shqiptare në treg dhe të nxisë përdorimin e tyre nga qytetarët, për të dhënë impaktin e saj në terma afatgjatë edhe në ekonominë shqiptare duke mbështetur drejtpërdrejt biznesin vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›