E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e arreston bashkë me një mësues, pazar në kurriz të dijes

28/11/2011  Drejtori ta jepte diplomën e Shkollës së Mesme për 4 milionë lëkë edhe po të mos bëje shkollë

TIRANË- Nga operacioni i koduar “Gjimnazisti” u arrestua një drejtor shkolle e një mësues sepse merrnin kontakte me persona të interesuar, të cilët nuk kishin përfunduar shkollën dhe të interesuar për të marrë dëftesa të shkollës së mesme, kundrejt përfitimit të shumave të parave që variojnë nga 200 000 deri më 400.000 lekë të rinj. Identifikimi dhe kapja e tyre u bë në Paskuqan dhe në afërsi të rrugës “Siri Kodra” në Tiranë. Në pranga ranë Bashkim Leti, 40 vjeç, banues në Martanesh, me detyrë Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit, Kadri Gjoni, 48 vjeç, banues në Tiranë, ish-Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit, aktualisht me detyrë mësues i lëndës së Historisë në Shkollën 9-Vjeçare Yzberisht dhe Sajmir Levonja, 36 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë ecurisë së hetimit ka rezultuar se, shtetasi Sajmir Levonja, bënte të mundur gjetjen e personave të interesuar për të përfunduar shkollën e mesme, ndërsa dokumentacionin përkatës, ia dorëzonte shtetasit Kadri Gjoni, ish-drejtor pranë shkollës së mesme “Jani Fullani”, i cili duke shfrytëzuar më pas lidhjet miqësore me shtetasin Bashkim Leti, aktualisht drejtor pranë kësaj shkolle, realizonin në bashkëpunim nxjerrjen e diplomave të shkollës së mesme dhe vërtetime të ndryshme pranë kësaj shkolle. Ndërkohë nga kontrolli i banesës së tyre, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale dokumente si vërtetime të ndryshme shkollore e një shumë e konsiderueshme parash, të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›