Vrasësi i policëve, zbulohen telefonatat
Trazhgim Sokolaj
Ekzekutori i dy oficerëve të policisë së Kukësit është ndodhur në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e të ftohtit në të cilin kaloi natën pas krimit të rëndë. Fjetja në banesën e braktisur, aty ku ra në prangat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, duket se i ka shkaktuar një “shok” të vërtetë 34-vjeçarit Afrim Hasani. Gjendja e tij shëndetësore ka ndikuar në ecurinë e hetimit, për shkak se deri mbrëmjen e djeshme marrja në pyetje e vrasësit të policëve ka qenë e pamundur. Menjëherë pas kthimit nga Kukësi në Tiranë mbrëmjen e së martës, Afrim Hasani është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku janë bërë ekzaminimet dhe është dhënë ndihma e parë. Më pas, për shkak të masave të sigurisë ai është dërguar në spitalin e burgjeve. Gjatë kësaj kohe grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nën drejtimin e prokurorit Ardian Nezha, ka vazhduar veprimet procedurale për zbardhjen e ngjarjes. Pas veprimeve të para të kryera nga Krimet e Rënda në vendin e ngjarjes në Kukës, hetimi ka vazhduar dje në Tiranë, ku arma e përdorur nga Afrim Hasani për ekzekutimin e dy oficerëve është dërguar për ekspertim në Laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë. Grupi i hetimit, sipas Prokurorisë, ka marrë në pyetje edhe të afërmit e Afrim Hasanit si dhe familjarë të efektivave të policisë. Nga dëshmitë e anëtarëve të dy familjeve është arritur të zbardhen detaje me rëndësi për hetimin e ngjarjes.
Telefonatat pas krimit
Mbrëmjen e së hënës, vetëm pak çaste pasi kishte derdhur breshëri plumbash mbi oficerët e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, autori i ngjarjes ka marrë në telefon vjehrrin e tij. Gjatë kësaj telefonate, 34-vjeçari i ka treguar të vjehrrit se kishte vrarë dy oficerët e policisë dhe më pas i ka kërkuar të kujdesej për gruan e tij. Gjatë kësaj telefonate mësohet se Afrim Hasani, me precedentë të shumtë penalë, ka përmendur mundësinë e vetëvrasjes. Pasi ka mbyllur telefonatën me vjehrrin e tij, 34-vjeçari ka telefonuar motrën, të cilës gjithashtu i ka treguar për krimin që kishte kryer. “I vrava, por kujdesu për fëmijët e mi”, mësohet t’i ketë thënë Afrim Hasani motrës së tij, pasi kishte ekzekutuar dy oficerët e policisë së Kukësit. Sipas të dhënave nga hetimi, mësohet se kanë qenë këto thirrje telefonike të cilat mundësuan më pas edhe lokalizimin e të kërkuarit, duke matur largësinë e tij nga antena më e afërt ku pulsonte aparati celular që ka pasur në përdorim i akuzuari. Burimet e hetimit thanë se telefonatat me vjehrrin dhe me motrën kanë pasur efekt tek Afrim Hasani, pasi të afërmit janë përpjekur ta qetësojnë, pavarësisht krimit të rëndë që kishte kryer.
Hetimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda brenda tri ditëve ka zbuluar mekanizmin dhe shkaqet e vrasjes së dy oficerëve të policisë së Kukësit. Sipas hetimeve, shkaku kryesor për konfliktin mes efektivave blu dhe Afrim Hasanit, ka qenë kallëzimi që policët kishin bërë ndaj 34-vjeçarit në Prokurorinë e Kukësit. Padia e dy policëve ka ardhur pas një sherri që ata kanë pasur me Afrim Hasanin më 17 mars 2009. I akuzuari për vrasje mësohet se kishte thyer disa pajisje në një lokal të zonës, ndërsa për këtë ngjarje ishte lajmëruar policia. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy oficerët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. Ndërhyrja e tyre ka sjellë reagimin e Afrim Hasanit, ndërsa më pas, dy oficerët e kanë denoncuar në prokurori 34-vjeçarin, duke e akuzuar për kundërshtim të punonjësve të rendit publik si dhe fyerje për shkak të detyrës. Pas këtij kallëzimi, Afrim Hasani është përpjekur përmes personave të tretë, që policët të tërhiqnin padinë, ndërsa mospranimi nga ana e oficerëve duket se ka sjellë edhe reagimin ekstrem të Afrim Hasanit.
Ekzekutori kurim në spitalin e burgjeve
TIRANE – Pak orë pas arrestimit në fshatin e tij në zonën e Shëmrisë së Kukësit, Afrim Sinani është sjellë në Tiranë, ku pritet të mbahet në paraburgim, por edhe të hetohet e gjykohet nga Krimet e Rënda. Mbrëmjen e të martës sapo ka mbërritur nga Kukësi, nën shoqërimin e forcave speciale të policisë, i akuzuari është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë ndihmën e parë dhe ka kryer disa ekzaminime. Disa orë më vonë, për shkak të masave më të larta të sigurisë, 34-vjeçari është dërguar në spitalin e burgjeve në Tiranë, ku është mbajtur deri mbrëmjen e djeshme. Problemet kryesore nga të cilat vuante i akuzuari mësohet se janë shkaktuar nga qëndrimi përgjatë gjithë natës në temperatura të ftohta nën zero gradë. Pas kurimit në spitalin e burgjeve, mësohet se 34-vjeçari ka dalë mbrëmë që aty dhe më pas është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për procedurat e mëtejshme të hetimit.
Ministria e Brendshme, gjashtë rroga për familjet e policëve
KUKES - Vetëm dy ditë pas vrasjes në detyrë të dy policëve në Shëmri të Kukësit, ministri i Brendshëm ka nisur shkresën zyrtare në drejtim të policisë së qarkut për të shpërblyer me nga 6 paga mujore familjet e Ramadan Hilës dhe Shkëlzen Dobroshit. Në drejtorinë e policisë dje janë kryer veprimet e duhura që familjet e policëve të marrin pagat për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme që ata po kalojnë pas humbjes së kryefamiljarëve. Policët kanë lënë një 5 dhe tjetri dy fëmijë jetimë. Drejtori i policisë së Kukësit, Muharrem Furriku, tha se përveç rrogave të akorduara nga Ministria e Brendshme, vetë drejtoria, në bazë të kompetencave që ka, do të akordojë të tjera shpërblime për familjarët e viktimave. Ndërkohë që ata pritet të trajtohen financiarisht dhe në bazë të ligjit për punonjësit e policisë të rënë në detyrë, çfarë parashikon pension për fëmijët jetimë, të cilët nuk janë në moshë për të punuar. Ndërkohë në familjet e viktimave në Shëmri dhe Gdheshtë, edhe dje kanë vijuar vizat ngushëlluese të qindra njerëzve, të afërm të familjeve dhe kolegë të tyre. Në fshatin Shëmri, tragjedia ka lënë gjurmë të thella. Gjatë ditës së djeshme, nuk kishte lëvizje të policisë në zonë, ndërsa janë larguar dhe forcat e policisë së Tiranës e Shkodrës, që morën pjesë në operacionin për kapjen e vrasësit Afrim Hasani. Shkaku i vrasjes së dyfishtë, sipas autorit, ka qenë padia që ngritën ndaj tij dy policët. j.h
Gati masa e sigurisë për 34-vjeçarin
TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të caktojë masën e sigurisë ndaj Afrim Hasanit për akuzën e ngritur ndaj tij lidhur me ekzekutimin e dy oficerëve të policisë. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet me kërkesë të prokurorisë, e cila dje gjatë gjithë ditës ka punuar për hartimin e saj. Me qëllim caktimin e masës brenda afatit ligjor, mësohet se prokuroria ka kryer formalitetet procedurale dhe në varësi të ngarkesës së gjykatës, Afrim Hasani pritet të dalë para Krimeve të Rënda sot ose ditën e nesërme. Sipas akuzës së ngritur ndaj tij, por edhe duke iu referuar rrethanave të ngjarjes, 34-vjeçari duhet të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit që do të zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet.