E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi: Më mirë me dy sulmues

 

Hamdi Salihi nuk ndihet titullar, ndonëse e gjithë vëmendja është spostuar te shkodrani. Në një deklaratë për mediat, dje ai ka thënë se do të përpiqet që të bëjë maksimumin, por i ka lëshuar edhe një mesazh të qartë Ari Hanit, se ndihet më mirë kur ekipi luan me dy sulmues. Ai gjithashtu, ëndërron një fitore 2-0 ndaj hungarezëve, rezultat me të cilin Shqipëria u mund në Budapest më 11 tetor në ndeshjen e parë. “Shpresoj të fitojmë 2-0 kundër Hungarisë, për të marrë hak dhe për ndeshjen e parë të humbur po me këtë rezultat”. Legjionari që ka shënuar më shumë gjatë këtij edicioni, Hamdi Salihi, (12 gola me SV Ried, 7 në kampionat e 5 në Kupën e Austrisë), deklaroi i bindur për mediat se Kombëtarja e Shqipërisë do të fitojë kundër Hungarisë, vetëm në rast se nga lojtari i parë dhe deri te i fundit do të luftojnë si një grup i vetëm. “Besoj se si grup deri tani kemi marrë rezultatet më të mira (6 pike ne 5 ndeshje). Shpresoj që dhe kundër Hungarisë, ta arrijmë këtë gjë. Gjithmonë, nëse grupi funksionon si një i tërë. Unë nuk ndihem titullar, sepse të gjithë lojtarët e tjerë të sulmit kanë po aq shanse sa unë për të luajtur. Askush nga ne nuk e di se kush do të luajë”, është shprehur futbollisti. Shkodrani ka pohuar se do të ndihej më mirë nëse Ari Han përdor skemë me dy sulmues. “Do të përpiqem të bëj me saktësi atë çfarë kërkon trajneri. Skema? Unë ndihem mirë kur kam edhe një sulmues tjetër në krah, sepse kështu ke më shumë liri veprimi dhe nuk je tërë kohën i markuar. Megjithatë, skemat i bën trajneri dhe jo unë”, ka deklaruar futbollisti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›