E Shtunë, 31 Tetor 2026

Landley, moderatori i dialogut Prishtine- Beograd

Kombet e Bashkuara kanë caktuar Andrew Ladley-n si negociatorin e ri, i cili do të ndërmjetësojë në bisedimet indirekte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të asistuara nga administrata e OKB-së në Kosovë. Eksperti për çështje kushtetuese, elektorale dhe të drejtësisë në OKB, Ladley, ka filluar konsultat me Prishtinën dhe Beogradin. 

PRISHTINE- Eksperti për çështje kushtetuese, elektorale dhe të drejtësisë në OKB, Andrew Ladley, ka filluar konsultat me Prishtinën dhe Beogradin, për të gjetur zgjidhje ndërmjet palëve rreth 6 pikave të përcaktuara nga Sekretari i përgjithshem i OKB-së, Ban Ki Moon. Kombet e Bashkuara kanë caktuar Andrew Ladleyn si negociatorin e ri, i cili do të ndërmjetësojë në bisedimet indirekte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të asistuara nga administrata e OKB-së në Kosovë.

Detyrë e Ladleyt do të jetë gjetja e zgjidhjeve sa i përket doganave, policisë si dhe çështjeve ende të papercaktuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të theksuara edhe në letrën e Sekretarit te pergjithshem, Ban Ki Moon.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, konfirmon se diplomati nga Zelanda a Re tanimë ka filluar punën dhe se në kuadër të angazhimeve të reja që ka marrë në vend, është takuar me zyrtarë shtetërorë të Serbisë dhe të Republikës së Kosovës.

"Ai ka filluar punën javën e kaluar, duke udhëtuar për në Beograd. Është takuar dje me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe sot është kthyer sërish në Beograd", tha Ivanko.

Gjer më tani, bisedimet indirekte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të mbikëqyrura nga UNMIK-u, i ka udhëhequr shefi i këtij mekanizmi, Lamberto Zannier, i cili ka arritur të gjejë një pajtim ndërmjet palëve, duke ndikuar në rifunksionalizimin e gjykatave në veri, ndërkohë që për 5 pikat e tjera, si doganat, policia, përcaktimi i vijës administrative dhe të tjera, nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.

Sipas Ivankos, mandati i Ladleyt do të zgjasë deri në zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria e Kosovës mirëpret emërimin e Ladleyt si personin përgjegjës për të ndërmjetësuar dialogun ndërmjet dy vendeve.

Por, numri dy i ekzekutivit kosovar, Rame Manaj, thekson se bisedimet me Beogradin për çështjet e përcaktuara teknike do të mund të zhvillohen vetëm në cilësinë e dy shteteve të pavarura e sovrane.

Profesori Andrw Ladley, i cili për disa vite ligjëroi në Universitetin Victoria në Wellington të Zelandës së Re, u emërua në mars të këtij viti nga OKB-ja si pjesë e një grupi ekspertësh për zgjidhjen e konflikteve të përbërë nga 6 anëtarë.

Ai ka qenë i angazhuar në Timorin Lindor, në Afrikën e Jugut, në Kamboxhë, ku në kuadër të misionit të OKB-së, ka kontribuar në zgjidhjen e konflikteve në këto vende.

(s.g/Europalire/BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›