Studimet me kohë të pjesshme, zbardhen kriteret e pranimit
Jonida Tashi
Dhënia e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të jetë një ndër kriteret kryesore për pranimet e kandidatëve në studimet part-time. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se pranimet në këtë cikël studimesh do të vijohen në bazë të provimeve me zgjedhje që kanë dhënë aplikuesit. Specialistët e arsimit kanë përfunduar përgatitjen e udhëzimit për studimet me kohë të pjesshme dhe tashmë pritet vetëm miratimi i tij nga qeveria. Kandidatët që nuk mundën të fitojnë një të drejtë studimi në sistemin me kohë të plotë këtë vit, do të kenë një shans të dytë për të vazhduar shkollën e lartë. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se kandidatëve të Maturës Shtetërore 2008 do t’u jepet më shumë prioritet për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme.
Udhëzimi
Kështu, në udhëzimin e hartuar nga specialistët e Ministrisë së Arsimit për studimet part-time janë përcaktuar edhe kandidatët që kanë të drejtë të aplikojnë për ndjekjen e këtyre studimeve. Kandidatë për ndjekjen e studimeve me kohë të pjesshme mund të jenë të gjithë ata maturantë që i janë nënshtruar katër provimeve të Maturës Shtetërore. Ky do të jetë dhe kriteri kryesor i pranimeve në këtë cikël studimesh për të gjitha degët që do të ofrojnë part-time për vitin akademik 2008-2009. Gjithashtu, për vazhdimin e studimeve me kohë të pjesshme mund të konkurrojnë edhe kandidatët, të cilët i kanë dhënë provimet me zgjedhje vitin e kaluar dhe nuk janë regjistruar në asnjë degë studimi. Kurse kandidatët, që nuk i janë nënshtruar provimeve me zgjedhje gjatë këtij viti, nuk kanë të drejtë të ndjekin studimet part-time. Kandidatë për sistemin part-time do të jenë edhe kandidatët që megjithëse kanë marrë një diplomë në xhep dëshirojnë që të vazhdojnë studimet në një degë tjetër sipas këtij sistemi.
Dokumentet
Një nga dokumentet që duhet të dorëzojnë këta kandidatë për nisjen e studimeve është diploma që ata kanë marrë. Kurse kandidatët që i janë nënshtruar provimeve me zgjedhje duhet të paraqesin në dosjen e dokumenteve të tyre certifikatën e provimeve të Maturës. Aktualisht janë dërguar pranë Ministrisë së Arsimit propozimet përkatëse në lidhje me kuotat e pranimit që do të ofrojnë universitetet publike në këto degë. Por ndryshe nga vitet e kaluara, studimet me kohë të pjesshme këtë vit do të realizohen sipas sistemit të Bolonjës. Përshtatja me sistemin e Bolonjës nënkupton që edhe në sistemin part-time kreditet janë të nevojshme, ndërkohë që frekuentimi duhet të realizohet në masën 100 për qind. Gjithashtu, këtë vit në sistemim e studimeve me kohë të pjesshme do të hiqet kufizimi për t’i ndjekur orët e mësimit vetëm gjatë fundjavës si më parë, ku çdo student i këtij sistemi duhet të ndiqte orët e mësimit çdo të shtunë dhe të diel. Çështjet teknike për mënyrën se si do të ndiqen studimet do t’i përcaktojnë vetë fakultetet. Do të jenë pikërisht këta të fundit ata që do të përgatisin një grafik të qartë me lëndët që mund të ndiqen në ditët përkatëse të javës.
Akademia e Arteve, shpallen zyrtarisht pedagogët e rinj
Akademia e Arteve shpall zyrtarisht emrat e pedagogëve të rinj, të cilët do t’i shtohen trupës pedagogjike të këtij institucioni gjatë vitit akademik 2008-2009. Drejtuesit e kësaj Akademie, bazuar edhe në procesverbalet e Komisioneve të Vlerësimit të Kandidatëve, kanë shpallur emërimin e personelit akademik me kontratë pune njëvjeçare në secilin prej fakulteteve të institucionit. Dita e parë e punës për nëntë pedagogët e rinj, të sapoemëruar për të dhënë mësim në Akademinë e Arteve, do të jetë data 10 nëntor.
NË FAKULTETIN E MUZIKËS
1. Punonjës mësimorë në specialitetin Piano me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Marin Gjollma
Milen Nikolla
Klejda Tare
2.Punonjës mësimor në specialitetin Lexim Partiture me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Altin Buli
NË FAKULTETIN E ARTIT SKENIK
1. Punonjës mësimor në specialitetin Regji Filmi dhe TV me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Ilir Butka
2. Punonjës mësimor në Specialitetin Regji Teatri me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Arben Kumbaro
3. Punonjëse mësimore në specialitetin Skenografi - Kostumografi me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Berina Kokona
NË FAKULTETIN E ARTEVE FIGURATIVE
1. Punonjës mësimor në specialitetin Grafikë, me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Petraq Papa
2. Punonjës mësimor në specialitetin Skulpturë me kontratë pune 1 (një) vjeçare,
Genc Mulliqi
8 Nentor 2008