E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE dhe pengesat e zgjerimit

Qëndrimet përplasëse mes vendeve anëtare të BE-së dhe atyre që synojnë të hyjnë në të, e errësojnë perspektivën e zgjerimit të saj. Qiproja pengon Turqinë, Greqia-Maqedoninë, Sllovenia-Kroacinë dhe Holanda-Serbinë. Kostoja do të jetë e lartë. Zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE), në vitet 2004-2007, nga 15 në 27 vende ishte një arritje, për të cilën të gjitha qeveritë e BE-së duhet të jenë krenare. Por, tani, perspektiva e zgjerimit të ardhshëm të BE-së duket e errët, për shkak të disa qëndrimeve përplasëse mes vendeve anëtare të saj dhe atyre vendeve që synojnë të hyjnë në BE, vihet në dukje në një analizë të analistit të njohur politik britanik, Toni Barber, të botuar në një nga numrat e fundit të gazetës britanike "Financial Times".

Nuk duket shumë inkurajues as manifesti që Unioni Kristian Demoratik (CDU), partia e Kancelares gjermane, Angela Merkel, miratoi javën e kaluar për zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen në qershor të këtij viti. Në këtë manifest nënvizohet se, duke pasur parasysh që zgjerimi i fundit i BE-së kërkoi aq shumë mund dhe përpjekje, "CDU-ja shprehet në favor të asaj që BE-ja, tani për tani, të përfshihet në një fazë të konsolidimit të vet, gjatë se cilës forcimi i identitetit dhe i institucioneve të BE-së duhet të ketë përparësi mbi zgjerimin e mëtejshëm të BE-së", thekson gazeta e njohur britanike. Sipas gazetës, CDU-ja, megjithatë, bën përjashtim për Kroacinë, pranimi i së cilës, shkruan ajo, nuk duhet të vonohet. Por, pavarësisht nga dëshira e CDU-së gjermane, përpjekjet e Kroacisë për t‘u anëtarësuar në BE janë trazuar dhe kanë ndeshur në mur, pasi Sllovenia, tashmë anëtare e BE-së, me shpresë që të përfitojë disa lëshime nga ish-republika simotër e fqinjë jugosllave (Kroacia) në mosmarrëveshjen dypalëshe për çështjen e kufirit detar, i paralizoi në muajin dhjetor të vitit të kaluar bisedimet e pranimit të Kroacisë në BE. Retorika nacionaliste nga të dyja anët e kufirit e ka kufizuar hapësirën e kuadrit për kompromis. Të gjitha qeveritë e tjera të BE-së janë shprehur kundër përpjekjeve që po bën Sllovenia për ta shfrytëzuar anëtarësinë e saj në BE në kurriz të hyrjes së ardhshme të Kroacisë. Por, sidoqoftë, BE-ja operon mbi bazën e konsensusit, kështu që Sllovenia vazhdon të ngulë këmbë te qëndrimi i saj dhe të pengojë hyrjen e Zagrebit në BE.

Po ashtu, problem krijon edhe Qiproja ose, për të qenë më të saktë, qeveria qipriote greke, e njohur tashmë në arenën ndërkombëtare, në këtë ishull të ndarë, shkruan më tej gazeta "FT", duke theksuar se qipriotët grekë po pengojnë fillimin e bisedimeve të pranimit të Turqisë, pjesërisht për shkak se ata kanë qenë gjithnjë kundërshtarë të anëtarësimit të Turqisë, por edhe me shpresë që të sigurojnë pozita epërsie në bisedimet me qipriotët turq për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Ata, gjithashtu e dinë se Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, janë kundër anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Për të mbrojtur qëndrimin e tyre, qipriotët grekë mund ta vënë gishtin edhe te prania e 30000 trupave turke në pjesën veriore të ishullit.

Nga ana tjetër, vazhdon më tej gazeta "Financial Times", nuk është logjika ushtarake ajo që qëndron mbas refuzimit të Greqisë që të lejojë progresin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në rrugën e realizimit të aspiratave të saj eurointegruese. Maqedonia është vend kandidat zyrtar për në BE, qysh në vitin 2005, por Greqia kundërshton përdorimin nga vendi fqinj të fjalës "Maqedoni" në emërtimin e saj zyrtar. Sipas saj (Greqisë), kjo përbën një kërcënim për integritetin territorial, trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar të Greqisë. Athina, në këto kushte është bërë pengesë për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, duke mos i dhënë kështu dritën e gjelbër Komisionit Evropian, që ai të shprehë mendimin e vet për gjendjen e gatishmërisë së vendit për t‘u bërë anëtar i BE-së. Por jo i gjithë faji duhet të hidhet mbi Greqinë, sikurse e ilustron këtë edhe episodi bizar që përfshin askënd tjetër, por vetë Aleksandrin e Madh të Maqedonisë! Liderët maqedonas i kanë vënë emrin e tij një pjese të autostradës kryesore transevropiane veri-jug, që kalon nëpër vendin e tyre. Kjo, në fakt, është një mënyrë pretendimi që synon ta lidhë këtë lider të mirënjohur maqedonas të antikitetit me shtetin e tyre bashkëkohor, shumicën e popullsisë së të cilit e përbëjnë maqedonasit sllavë. Kur lajmi i lartpërmendur arriti në Bruksel, zyrtarët e BE-së u dëshpëruan. Asgjë nuk është më e sigurt, veç asaj se Greqia do ta ashpërsojë qëndrimin e vet.

Shpresat e Bosnjë-Hercegovinës për në BE, nga ana tjetër, marrin goditje nga rivalitetet mendjengushta mes liderëve të saj nacionalistë politikë.

Kurse në rastin e Serbisë, është qeveria e Holandës që ka bllokuar rrugën e saj për në BE. Ajo (qeveria holandeze) do që Beogradi fillimisht t‘i dorëzojë gjeneralin serbo-boshnjak Ratko Mlladiç, të akuzuar për krime lufte, të kryera në vitet ‘90, Tribunalit të Kombeve të Bashkuara në Hagë. Sidoqoftë, qeveritë e vendeve të tjera anëtare të BE-së kanë mendimin se Serbia ka bashkëpunuar aq sa duhet me Tribunalin e Hagës, për ta merituar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe të Asocimit, një etapë e rëndësishme në rrugën drejt BE-së, të cilën Serbia, tashmë e ka nënshkruar në muajin prill. Përsëri, edhe në këtë rast, është rregulli i konsensusit të BE-së që e pengon Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, deri sa Holandës t‘i ndërrohet mendja.

BE-ja ka nevojë për kurajë që të zgjidhë mosmarrëveshjet që bllokojnë zgjerimin e saj. Ballkani dhe Turqia janë të brishta e të cenueshme dhe, në të njëjtën kohë të rëndësishme nga ana strategjike. Nëse ato do ta ndjejnë veten të padëshiruar, kostoja që do të paguajë BE-ja do të jetë edhe më e madhe, e përfundon shkrimin gazeta "Financial Times".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›