Largimet nga puna, mësuesit dhe edukatorët më të rrezikuarit
Bum ankesash te Avokati i Popullit, administrata dhe nxënësit u nxorën me detyrim në mitingje
Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar një numër të lartë ankesash, të largimeve nga puna për motive politike. Sipas një raporti të publikuar dje nga përfaqësues të Avokatit të Popullit janë bërë të njohura deri më tani rreth 40 largime të kësaj natyre, por që sipas përfaqësuesve të AP-së, shumica e qytetarëve kanë frikë të bëjnë denoncimin.
Largimet politike
Pjesa më e madhe e largimeve deri më tani duket ka prekur mësuesit dhe edukatorët, të cilët janë penalizuar edhe për shkak të mospërfshirjes së tyre në mitingjet e subjekteve politike gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. Ka një numër të lartë të largimeve nga puna. Aktualisht mund të flasim me siguri për rreth 30-40 raste të përmendura një nga e një edh në media, por që vetë këta persona kur janë kontaktuar nga ne kanë frikë të japin të dhëna, emër dhe mbiemër apo arsyet e largimit. Kjo e bën të vështirë edhe hetimin dhe ndihmën tonë, tha dje Andi Bala, këshilltar pranë Avokatit të Popullit.
Fushata
Ndërkohë këshilltarët e Avokatit të Popullit janë ndalur edhe në problematika të tjera dhe shkeljet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, që nisin me nxjerrjen në mitingje të administratës dhe fëmijëve të shkollave, e deri tek cënimi i medias së lirë. Për të gjitha këto raste Avokati i Popullit ka bërë rekomandimet përkatëse pranë institucioneve, por jo të gjitha janë marrë parasysh. Qysh në fillim të muajit Qershor, Avokati i Popullit në mënyrë të hapur dhe publike, nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike informoi opinion publik se ashtu si gjithmonë, ishte i hapur për të trajtuar me objektivitet, shpejtësi dhe profesionalizëm të gjitha ankesat që mund ti paraqiteshin lidhur me veprimet ose mosveprimet e jashtëligjshme të administratës shtetërore, të çdo lloj forme. Avokati i Popullit rikujtoi edhe njëherë opinionin publik se mund të paraqisnin ankesa në dy numra telefoni pa pagesë si dhe personalisht në institucion. Ai i bëri thirrje kurajës qytetare që të denonconte pa ngurrim çdo lloj veprimi të kundraligjshëm të administratës i cili bazohej në kritere politike dhe cenonte të drejtat dhe liritë kushtetuese të individëve, tha Gjergj Teneqexhiu, sekretar i përgjithshëm i AP-së, ndërsa shton se pavarësisht kësaj ndërhyrje publike, u vu re një ngurrim i qytetarëve për të denoncuar haptazi veprimet politike të administratës duke pretenduar se në rast marrje dijeni për denoncimin ata dhe/ose personat e lidhur me ta mund të humbnin vendin e punës.
Hetimet
Për rrjedhojë deri në ditën e zgjedhjeve pati vetëm 4 ankesa të depozituara në institucion (transferimi i një mësuesi në shkollën e fshatit Cermë;pushimi nga puna i një edukatoreje kopshti; ankesa e unionit të Gazetarëve për vendimin e KQZ-së lidhur me transmetimin e fushatës zgjedhore nëpërmjet transmetimit të kasetave të përgatitura prej vetë subjekteve zgjedhore. Pavarësisht kësaj, në ushtrim të kompetencës së tij për të filluar shqyrtimin e çështjeve edhe kryesisht, Avokati i Popullit filloi hetimin edhe të të paktën 5 ankesave të tjera për të cilat kishte marrë informacion prej organeve të informimit publik por hetimi nuk mundi të vazhdojë për arsye se personat e prezumuar si të dëmtuar refuzuan të autorizonin vazhdimin e hetimeve prej Institucionit, theksohet në raportin e fundit të AP-së.
Rekomandimet
Nisur nga shkeljet e konstatuara AP doli me një sërë rekomandimesh për marrjen e masave për nxjerrjen e një urdhri për ndalimin dhe mosmarrjen pjesë të punonjësve të Administratës Publike në fushatat elektorale të partive politike gjatë orarit zyrtar të punës (dërguar Kryeministrit dhe Bashkiakëve). Gjithashtu rekomandoi nxjerrjen e një urdhri që Drejtoritë Arsimore të Qarqeve të ndalojnë pjesëmarrjen e nxënësve dhe të mësuesve të shkollave në mitingjet elektorale te partive politike te vendit gjate orarit te mësimit dhe aktiviteteve shkollore (Ministrit të Arsimit), si dhe rekomandim për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, Vendimit datë 3.06.2013, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (detyrimi prej KQZ-së i televizioneve për të pasqyruar fushatën nëpërmjet kasetave të servirura nga subjektet zgjedhore). Të tjera rekomandime kanë të bëjnë me respektimin e kuotave gjinore prej subjekteve zgjedhore apo me një sërë kërkesash drejtuar pushtetit vendor.