E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin nga Holanda letër-porosia e Abdyl Loshajt



Mbërrin në Shqipëri letër-porosia e Avdyl Loshajt, një nga dëshmitarët kyç në procesin e zhdukjes së Remzi Hoxhës. Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pohuan dje se përgjigjet e Loshajt kanë ardhur vetëm se janë ende në gjuhë të huaj dhe do të angazhohen përkthyesit zyrtarë për ta përkthyer të plotë. Kjo dëshmi është kërkuar fort prej Prokurorisë. Loshaj ndodhet në Holandë dhe në këtë letër-porosi u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe avokatëve. Të pandehurit në këtë proces gjykohen në gjendje të lirë. Ata janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Në seancat e mëparshme të pandehurit janë përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës duke preferuar të mos jenë vetë të pranishëm. Procesi ndaj ish-drejtuesve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që akuzohen nga Prokuroria si përgjegjës në rrëmbimin e trefishtë në 1995-n të Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës, ndodhet në fazën e marrjes së dëshmisë së Loshajt dhe disa punonjësve të tjerë të SHIK-ut të asaj kohe.

Banda e Mirditës, Prokuroria ka gati konkluzionet

Përfundon procesi i gjykimit ndaj të pandehurve që janë cilësuar si banda e Mirditës. Në seancën e djeshme, kolegji penal i vuri në dijeni palët se ndodhen përballë faktit që duhet të paraqesin konkluzionet përfundimtare për t’u njohur më pas me verdiktin e gjykatës. Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dhënë fund vetëm disa muaj më parë hetimeve mbi bandën e Mirditës, anëtarët e dyshuar të së cilës akuzohen për një sërë veprash penale, mes tyre dhe për vrasjen e policit të Mirditës, Gjon Paçuku, ngjarje e ndodhur 11 vjet më parë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se pas gati një vit hetimesh, dosja penale për gjashtë të pandehurit e bandës së Mirditës, njëri prej të cilëve në mungesë, tashmë i ka përfunduar dhe procesi i gjykimit. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë shtetasit: Nikoll Syziu, Bardhok Syziu, Tom Syziu, Tom Gjoka, Arian Reçi si dhe Dritan Ndoi në kërkim. Pesë anëtarët e dyshuar të kësaj bande u arrestuan në 2008-n në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mbi ta rëndojnë disa akuza si grabitje dhe plagosje të ndodhura gjatë vitit ‘97 në qytetin e Mirditës dhe rrethinat e tij.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›