E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi i Benitez kushton 22 milionë euro

Liverpuli po kalon një moment delikat në këtë fillim sezoni. Me shtatë pikë diferencë nga Mançester Junajtid, kryesuesja e Premierligës pas nëntë ndeshjeve të para dhe vetëm tri pikë të fituara në Ligën e Kampioneve (një fitore dhe dy humbje), që komprometojë kualifikimin në Europë, "Reds"-at janë larg objektivave të përcaktuar. Katër humbje radhazi kanë lëkundur pozitat e Rafa Benitez në krye të stolit. Shitja e Ksabi Alonsos duket se ka prishur të gjithë ekuilibrat në lojën e Liverpulit, ndërsa skuadra ka vuajtur edhe prej mungesave të Stiven Xherard e Fernando Torres.

Por, në këtë moment të vështirë, Xhorxh Xhilet, bashkëpronari i klubit ka dalë në mbështetje të trajnerit spanjoll, nëpërmjet një deklarate për shtyp: "Familja jonë është shumë e kënaqur nga Benitez. Ai është më i miri në qarkullim dhe besoj se këtë e mendojnë edhe Hiksat (bashkortakët)". Më tej thuhej: "Rezultatet e dobëta nuk i pëlqejnë askujt, as tifozëve dhe as Rafës. Përgjegjësia mbi të gjithë". Sipas të gjitha gjasave, fati i Benitez do të vendoset nga sfida e së dielës, ku Liverpuli pret në "Anfilld Roud" Mançester Junajtid. Besimi i përkohshëm i dhënë nga Xhilet lidhet me dy arsye: qetësia brenda skuadrës në prag të kësaj sfide delikate, por edhe kontrata që tekniku ka me klubin. Në pranverë, spanjolli rinovoi deri në vitin 2014, me rrogë 4,5 milionë euro në sezon. Prishja e njëanshme e marrëveshjes, do t‘i kushtonte Liverpulit mbi 22 milionë euro (20 milionë sterlina). Hipotezat për pasardhësit e mundshëm? Ideja kryesore është që skuadra të drejtohet përkohësisht nga Keni Delglish, ndërsa investimi për një trajner me peshë do të realizohet në fund të sezonit. Një alternativë e mundshme është Zhoze Murinjo, që me Interin nuk e shijon fitoren prej një viti në Champions. Nëse zikaltërit dështojnë në aktivitetin më të rëndësishëm për klube, Morati do ta largojë portugezin. Te Liverpuli e shohin Murinjon si trajnerin-menaxher ideal, për t‘i rikthyer skuadrës titullin në Angli, që mungon prej 20 vitesh. Një tjetër alternativë është ish-trajneri i Barcelonës, Frenk Rajkard. Aktualisht holandezi punon te turqit e Gallatasarait. Kandidat më pak i mundshëm është edhe italiani Luçiano Spaleti, i cili është larguar pak kohë më parë nga Roma.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›