Largimi i "diplomatit të qetë" të BE-së
Një nga personazhet që do të tërhiqet nga politika e Bashkimit Europian këtë javë është një njeri që për shumë vite resht ka qenë fytyra e politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana. Ai do të dalë në pension, ndërkohë që do të kujtohet si një njeri i cili dinte të zotëronte veten dhe të ruante qetësinë edhe në momentet më të tensionuara. Gjithashtu ishte edhe një zotërues i diplomacisë, veçanërisht asaj pas skene. Megjithatë ka nga ata që mendojnë se ai duhet të kishte bërë më shumë për sa u përket të drejtave të njeriut. Politikani spanjoll do të largohet sot për t‘i hapur rrugë ministrit të parë të Jashtëm të Organizatës, në një prej posteve të reja të parashikuara në Traktatin e Lisbonës dhe që aktualisht i është dhënë britanikes Catherine Ashton. Për sa i përket Solanës, gjatë punës së tij në këtë pozicion në këto 10 vjet, ai e shndërroi politikën e jashtme dhe atë të sigurimit të Bashkimit Europian nga një politikë letrash, në një organizëm të mirëfilltë me bazë në Bruksel, ku rreth 800 ekspertë ushtarakë dhe diplomatë koordinojnë punën për misionet në 23 pika të nxehta në botë, duke filluar nga Kosova e deri te Gjiri i Adenit. Solana, personalisht ka luajtur rolin e zëdhënësit të BE-së dhe negociatorit në rreth 600 delegacione të ndryshme. Por kjo shifër flet vetëm për një pjesë të vogël të historisë. Me një mbështetje të kufizuar nga Bashkimi Europian, në arritjen e suksesit në punën e tij, Solana është mbështetur më shumë te njohjet dhe karizma personale në punën e tij. Ai personalisht është një njeri i palodhur, që fle vetëm 5 orë në ditë dhe e nis punën me vrapin e përditshëm në park. Pas daljes në pension, sipas asaj çka ka deklaruar zyra e tij e shtypit, Solana do të vazhdojë të japë kontributin e tij në negocimin e shumë çështjeve dhe do të ndërmarrë shumë udhëtime. Për sa u takon arritjeve të Solanës, ato kanë qenë kryesisht jo shumë të bujshme dhe janë bërë të ditura kohë pasi kanë ndodhur. Në vitin 2001, menjëherë pas bombardimit të një diskoje në Tel Aviv, Solana ai arriti që ta bindë Kryeministrin e atëhershëm, Sharon, që të mos kundërpërgjigjej me armë dhe luftë ndaj sulmit që do të prishte plotësisht bisedimet e nisura me Arafatin. Në vitin 2003, telefonata e minutës së fundit që ai i bëri Presidentit moldav, Vladimir Voronin, bëri që ky i fundit të mos nënshkruante një dokument që do ta kishte mbajtur vendin për dhjetëvjeçarë nën dominimin rus. Ai ka edhe shumë arritje të tjera dhe sipas shumë analistëve, një njeri me pozicionin e tij jo shumë të mbështetur për shkak të dobësisë së BE-së, arriti që ta bëjë të dukshëm rolin dhe fjalën e organizmit që përfaqësonte në mbarë botën dhe mbi të gjitha e bëri këtë gjë pa i bërë bashkëbiseduesit e tij që të ndiheshin të kërcënuar.