E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 5 nëntorit, rregulla të reja deklarimi tatimor

Drejtoria e Tatimeve ka ndryshuar këto ditë procedurën e pagesës së detyrimeve të biznesit në bankë. Duke nisur nga data 5 nëntor, për të gjitha deklaratat që rezultojnë me pagesë, pasi biznesi të ketë kryer plotësimin e saj, duhet t‘i kryejë të gjitha veprimet përmes kompjuterit. Veprimi i parë do të jetë klikimi në opsionin "Gjenero urdhër-pagese", dhe më pas printimi i formularit, i cili duhet të paraqitet në bankë, për të kryer pagesën. Ekspertë të zyrës së informacionit teknologjik shpjegojnë edhe avantazhin kryesor të procedurës së re. "Duke klikuar ‘Gjenero deklaratë‘, biznesi mund të printojë deklaratën e plotësuar nga ai dhe ta përdorë atë për përdorim personal", thekson DPT-ja.

Prej kohësh administrata tatimore po planifikon informatizimin e sistemit të pagesave, duke krijuar kushte lehtësuese për taksapaguesit. Një nga planet ambicioze parashikohet të jetë pagesa me detyrim i taksave për sistemin e-banking. Të parët që do të futen në detyrimin ligjor mund të jenë taksapaguesit e mëdhenj, duke nisur nga janari i vitit 2010.

Aktualisht vetëm 33 për qind e bizneseve i bëjnë deklarimet tatimore përmes sistemit online. Drejtoria e Tatimeve pranon se ekziston ende te biznesi mentaliteti i dorëzimit të deklaratës në formë dorazi. E gjitha lidhet me çështjen e besimit, por edhe të mungesës së kushteve teknike. Nuk jepen ende detaje rreth sanksioneve që do të aplikojë organi tatimor ndaj rasteve të mosdërgimit të deklaratës përmes internetit, por propozimi është për zbatimin të detyrueshëm me ligj.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›