E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët: "Na vjen keq për simbolin negativ që përcjell kjo votë"

Qeveria zvicerane dhe ajo e vendeve të tjera të Europës kanë unifikuar dje zërat për sa i përket reagimit të tyre ndaj rezultatit të referendumit zviceran për të nxjerrë jashtë ligjit ndërtimin e xhamive në vend. Konservatorët paralajmëruan se referendumi shfaqi një frikë të madhe të njerëzve nga islamizmi. Të gjitha qëndrimet zyrtare kanë shprehur turpin ndaj një vote të tillë, që stigmatizon 400 mijë myslimanët që ndodhen në federatë. Ndërsa e djathta ekstreme në Francë, Austri, Itali dhe Holandë e përshëndeti rezultatin duke e konsideruar një triumf të njerëzve ndaj elitës. Gazeta "Le Temps" e Gjenevës shkruante: "Vota u frymëzua nga frika, fantazitë dhe injoranca". Sipas saj, referendumi prish imazhin e Zvicrës në botë. Gazeta "Tagesanzeiger" e Zyrihut shkruante se vota tregonte dasinë që ekziston në vend mes të resë dhe të vjetrës dhe se ajo "forcon izolimin ndërkombëtar të Zvicrës edhe mes vendeve perëndimore". Ndërsa "Amnesty Intrenational" dhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut deklaruan se ndryshimi në Kushtetutën zvicerane shkaktonte një çarje në garantimin e lirisë së besimit dhe binte ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të njeriut. Myslimanët zviceranë që vijnë kryesisht nga Ballkani dhe Turqia kanë reaguar me keqardhje. "Gjëja më e dhimbshme për ne në këtë rast nuk është ndalimi i minareve, por simboli që përçon kjo votë", ka bërë të ditur lideri i organizatës koordinuese të myslimanëve zviceranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›