E Diel, 1 Nëntor 2026

Largohen nga Joni 40 tonë predha

VLORE - Përfundoi dje faza e parë e operacionit për pastrimin e predhave dhe municioneve të mbetura nën ujë në zonën "Kalaja" në Vlorë. 

 Operacioni i quajtur "Plazhe të sigurta", i cili ka nisur në 26 prill të këtij viti ka nxjerrë nga uji 40 tonë predha dhe municione, të mbetura aty nga periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë. Ato janë transportuar në drejtim të Gadishullit të Karaburunit, në një distancë rreth 12 km, në vendin e quajtur Shën Vasil, ku është realizuar shpërthimi i tyre në bunkerë, në kushtet e një sigurie të plotë. Ekspertët shqiptarë, që u përfshinë në këtë operacion, e konsiderojnë atë të vështirë, për shkak se është punuar nën ujë dhe me lloje municionesh që shpesh kanë shkallë të ndjeshme rrezikshmërie. Në operacion u angazhuan dy grupe polumbare, mjetet dhe personeli i Flotiljeve Detare, Shërbimi Hidrografik, Batalioni i Mbështetjes Logjistike, Policia Ushtarake e Vlorës, Njësia e Municioneve dhe Eksplozivëve, si dhe mjete të Grupit të 28-të Naval Italian, ndërkohë që gjithçka u drejtua nga një strukturë e veçantë, në formën e Task Grup. Operacioni "Plazhe të sigurta" do të vazhdojë me pika të tjera, më pak të rrezikshme të bregdetit të këtij qyteti të "infektuara" me municione nënujore.                             q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›