E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, vlerësohet bashkëpunimi



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Presidencës prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, Kandido Konde Pumpido Touron. Në këtë takim, kryeprokurori spanjoll shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio. Presidenti Topi vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në rrugën e realizimit të reformave integruese të vendit në Bashkimin Europian dhe përpjekjet e vazhdueshme për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të këtyre reformave të rëndësishme, sidomos asaj në sistemin e Drejtësisë. Në këtë kontekst, presidenti theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e një rëndësie të veçantë dhe shikohet nga shteti shqiptar si një përparësi, ndërkohë që në këtë drejtim ka pasur mbështetjen e duhur dhe asistencën e vazhdueshme të ekspertëve ndërkombëtarë. “Ne vlerësojmë lart bashkëpunimin bilateral në fushën e Drejtësisë mes institucioneve shtetërore dhe strukturave përkatëse të Shqipërisë e të Spanjës dhe jemi të bindur në vijimësinë e këtij bashkëpunimi dhe në të ardhmen për forcimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë e cilësisë së institucioneve të sistemit të Drejtësisë”, - është shprehur kreu i shtetit. Nga ana e tij, prokurori i Përgjithshëm i Spanjës vlerësoi marrëdhëniet e frytshme dhe bashkëpunimin e suksesshëm që ekziston mes institucioneve të Drejtësisë së dy vendeve tona përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në këtë drejtim, prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, pasi çmoi përparimin e dukshëm dhe ndryshimet pozitive të organit të akuzës së Shqipërisë, shprehu gjithë gatishmërinë dhe mbështetjen institucionale për dhënien e përvojës dhe ndihmesës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së institucioneve të të gjitha vendeve që aspirojnë për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në veçanti të vendit tonë.

Zhigalov vlerëson rolin e Topit në rivendosjen e dialogut politik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje të dërguarin e posaçëm të OSBE-së, Konstantin Zhigalov. Në këtë takim, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme që OSBE-ja ka dhënë për forcimin e demokracisë shqiptare, ruajtjen dhe thellimin e vlerave demokratike të shoqërisë, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe në konsolidimin e rolit të shoqërisë civile përgjatë gjithë viteve të tranzicionit. Topi e njohu z. Zhigalov me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ato politike, ku ecuria e tryezës politike dhe rivendosja e dialogut mes maxhorancës dhe opozitës ishte në fokus të bashkëbiseduesve, si dhe në përpjekjet që institucionet dhe strukturat e posaçme shqiptare po bëjnë për reformimin e sistemit të Drejtësisë, sipas standardeve europiane dhe demokratike me synim integrimin në familjen e madhe europiane. Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm i OSBE-së, Zhigalov, vlerësoi rolin e presidentit Topi në mbajtjen e tryezës politike mes maxhorancës dhe opozitës dhe vuri në dukje rëndësinë e rivendosjes së dialogut politik, hyrjes së opozitës në Kuvend duke nënvizuar shpresën se për komisionin hetimor parlamentar do të arrihet një marrëveshje me qëllim funksionimin e plotë dhe normal të jetës politike dhe të institucioneve në vend. Gjatë bisedës të dy personalitetet diskutuan edhe për situatën në rajon, duke theksuar rolin pozitiv, konstruktiv e promotor të Shqipërisë për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale. Presidenti Topi vuri në dukje edhe dëshirën dhe vullnetin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2014, një ambicie që u mbështet edhe nga zoti Zhigalov, i cili vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm të vendit tonë me këtë organizatë dhe marrëdhëniet produktive dypalëshe mes Shqipërisë e Kazakistanit edhe në kuadrin e organizatave të tjera ndërkombëtare si NATO etj.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›