E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për SHISH-in miratohet nga PD-ja pa i konsideruar kritikat e SHBA-ve



Eljona Ballhysa
Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vetëm me votat e deputetëve të PD-së draftin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Pas një mbledhjeje që është zhvilluar pa praninë e mediave, pas gati 5 orë diskutimesh, deputetët e PD-së e miratuan në tërësi draftin, me ndryshime të vogla, që nuk prekin thelbin e kritikave të bëra nga ambasadori amerikan Withers dhe nga NATO-ja. Partia Demokratike nuk mori në konsideratë as kërkesën e Ambasadës Amerikane në Tiranë që të shtyjë miratimin e këtij drafti deri në marrjen e një ekspertize ndërkombëtare, por as letrën që struktura e NATO-s, e quajtur NOS, i ka dërguar qeverisë shqiptare. Në këtë letër NOS i bën thirrje qeverisë shqiptare që të pezullojë miratimin e projektligjit dhe ta dërgojë më parë këtë draft për ekspertizë në këtë zyrë. Madje dhe ambasadori amerikan Withers deklaroi pak ditë më parë se tani që Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka detyrime ndaj kësaj aleance përsa u përket çështjeve që lidhen me sigurinë.
Mbledhja
Në përfundim të mbledhjes së djeshme, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi, bëri të ditur për mediat se drafti për Shërbimin Informativ Shtetëror është miratuar në tërësi me ndryshime të rëndësishme që, sipas tij, e forcojnë këtë institucion dhe i japin atij pavarësinë e kërkuar. Sipas Demit, është ndryshuar paragrafi i 10-të i nenit 3 të këtij projektligji. Ndryshimi i këtij paragrafi është kërkuar nga drejtori i SHISH-it në mbledhjen e një dite më parë. Burimet bënë të ditur se Shaqiri nuk e pranoi paragrafin që parashikon që SHISH-i të marrë më parë pëlqimin e kryeministrit në rast se do të bashkëpunojë me shërbimet informative të vendeve të tjera. Në draftin e mëparshëm shkruhej se “SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Ndërsa në variantin e miratuar dje nga Komisioni i Sigurisë është parashikuar që SHISH-i, në përmbushje të detyrave të tij, të marrë në parim pëlqimin e kryeministrit për të bashkëpunuar me shërbime të vendeve të tjera dhe për të mbledhur informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Ndërkohë që është rrëzuar fjalia pasardhëse që parashikon që procedurat e raportimit dhe marrjes së pëlqimit të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Komisioni ka vendosur që SHISH-i të marrë pëlqimin e kryeministrit, por pa dhënë detaje për qëllimet e hetimit që do të kryejë ky institucion. Sipas Demit, ndryshimet që iu bënë draftit janë në përputhje me praktikën e vendeve të tjera dhe me detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Në mbledhjen e djeshme morën pjesë, përveç drejtorit të SHISH-it, Shaqiri, drejtorit të kabinetit të kryeministrit Bylykbashi edhe ekspertë të huaj, përfaqësues të EURALIUS-it. Ky draft është parashikuar të kalojë për miratim në seancën e së enjtes, ku pritet të ketë debate të ashpra mes opozitës dhe maxhorancës.
Letra
Ndërkaq, deputetët e PD-së, në miratimin e këtij projekti nuk morën në konsideratë as deklaratën e ambasadorit Withers, që kërkoi shtyrjen e miratimit deri në marrjen e një ekspertize të huaj dhe as letrën e NOS. Madje, gjatë ditës së djeshme ka reaguar një zëdhënës i Ambasadës Amerikane, i cili konfirmoi ekzistencën e letrës që NATO i ka dërguar qeverisë shqiptare ku i bën thirrje pezullimin e projektligjit në fjalë. Zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS, përmes kësaj letre që i ka dërguar dje qeverisë shqiptare, kërkon që drafti i ri për SHISH-in të kalojë më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga tri degë: Orientimet e Përgjithshme, Inteligjenca për Sigurinë dhe Siguria e Mbrojtjes. Kundër këtij drafti është shprehur edhe Edi Rama, i cili tha se Partia Socialiste nuk do të lejojë miratimin e ligjit nga Parlamenti.

17 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›