E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, gati pranimi i 160 pedagogëve

Që prej datës 11 gusht hapet gara e kandidatëve për pedagogë. 

Janë 160 vende të reja pune që hapen në Universitetin e Tiranës. Brenda kësaj jave do të afishohen edhe kriteret. Por drejtuesit e këtij universiteti, sqarojnë se kriteret e përzgjedhjes do të jenë tepër të forta. Nuk do të lejohet më staf akademik pa grada e tituj shkencorë, siç ka ndodhur rëndomë deri tani. Prioritet për të nisur punën me kohë të plotë në universitet do të kenë të diplomuarit jashtë vendit, por nuk përjashtohen edhe ata që kanë marrë tituj shkencorë në Shqipëri. Nga sa bën me dije rektorati, të interesuarit për t’u emëruar pedagogë në fakultetet e UT-së do të plotësojnë një formular, ku do t’u kërkohen të dhënat përkatëse. Më pas në bazë të kritereve në një fazë të dytë do të bëhet shpallja e kandidatëve fitues. Universiteti i Tiranës ka kërkuar që të punësojë rreth 160 pedagogë, pasi me rritjen e numrit të kuotave për këtë vit akademik, rriten edhe nevojat për staf pedagogjik. Ky është një problem i hershëm i të gjithë universiteteve tona publike, por barrën më të rëndë gjithnjë e ka mbajtur ai i Tiranës. Në fakultetet e tij është e përqendruar pjesa dërrmuese e studentëve. Aktualisht, autoritetet drejtuese të fakulteteve po bëjnë propozimet përkatëse për numrin e pedagogëve që shpërndarja e tyre të bëhet në mënyrë sa më të drejtë, dhe pikërisht aty ku janë nevojat më të mëdha. Përmes një vendimi të qeverisë pritet që brenda vitit që vjen të punësohen 400 pedagogë në të gjithë universitetet publike të vendit. Nevojat sipas drejtuesve të universiteteve, janë disa herë më të mëdha. Nga llogaritë që ata kanë bërë duhet të paktën dyfishi për të mbushur vakumin e krijuar nga shtimi pranimeve nga viti në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›