Largohen tri vajza nga banesat, policia nis kërkimin për to
Tri femra janë larguar nga banesat e tyre, ndërkohë që policia i ka shpallur në kërkim. Ngjarjet kanë ndodhur në Tiranë dhe familjarët e tyre kanë bërë denoncimet në polici. Sipas të dhënave hetimore, dy ditë më parë, në Komisariatin Nr. 3 të policisë së Tiranës është paraqitur Agim Podri, 74 vjeç. Ai ka treguar për uniformat blu se i është larguar nga banesa vajza Dalila Podri, 32 vjeçe. Madje, ai ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e saj, për shkak të pamundësisë për ta gjetur dhe nga frika se mos i ka ndodhur gjë. Por, pak orë më vonë një tjetër denoncim është bërë po në Komisariatin Nr. 3. Sipas të dhënave nga policia, rreth orës 16:30, Mimoza Ismailaj, 45 vjeçe, ka kallëzuar se në datën 6 të këtij muaji i është larguar nga banesa vajza Blerta Ismailaj, 18 vjeçe. Ajo ka pritur se mos kthehet, ka kontrolluar te gjithë miqtë e saj, por nuk e ka gjetur. Kështu u është drejtuar uniformave blu për ndihmë, duke u vënë në dispozicion edhe një foto të saj, e realizuar kohët e fundit. Ndërsa në Komisariatin Nr. 6, në zonën e Kombinatit është bërë denoncimi i tretë, që ka të bëjë me fatin e një vajze 15-vjeçare. Sipas të dhënave hetimore, Edmond Pëllumbi, 45 vjeç, banues në Yzberisht, ka denoncuar se i është larguar nga banesa vajza Qamile Pëllumbi, 15 vjeçe. Të tre rastet janë regjistruar nga policia e kryeqytetit dhe menjëherë ka nisur puna për gjetjen e tyre. Nga ana tjetër, familjarët e vajzave të zhdukura kanë deklaruar se nuk e dinë arsyen pse ato mund të jenë larguar. Megjithatë, policia dyshon se ndonjë konflikt apo debat në familje mund të ketë ndikuar në largimin e tyre. Por, specialistët tregojnë se këto raste nuk duhet nënvlerësuar dhe identitetet e të larguarave u janë dhënë gjithë shërbimeve të policisë së kryeqytetit, si dhe janë dërguar të dhënat e tyre në pikat e kalimit kufitar, nga frika se mund të bien pre e ndonjë trafiku të mundshëm.