E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Partitë të inkuadrohen për drejtësinë

Me cilësinë e tij të kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti mendon se reforma në drejtësi është funksion i marrëdhënieve që konsiderohen jetike për demokracinë, siç janë marrëdhëniet mes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Në funksion edhe të klimës elektorale, ai i ftoi haptazi partitë ta prekin këtë argument. "Është shumë e rëndësishme që partitë të prononcohen në mënyrë elokuente për reformat që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë", u shpreh Topi, gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së. Presidenti kujtoi se mjaft ligje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë miratohen me shumicë të cilësuar, pra kërkojnë konsensus të më shumë se një force politike. Duke mbetur te zgjedhjet, Presidenti theksoi pritshmërinë e lartë që ekziston për Kolegjin Zgjedhor, pas KQZ-së, shkalla e fundit e ankimimit për subjektet zgjedhore. Presidenti përsëriti edhe njëherë nevojën për pjesëmarrje në zgjedhje, si një tregues i demokracisë, prej nga nevoja për t‘u pajisur me urgjencë me letërnjoftime.

Kolegji Zgjedhor
Sipas kreut të shtetit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe sistemi i drejtësisë japin prova për zgjedhje të lira e demokratike. "E kam fjalën këtu për Kolegjin Zgjedhor. Sistemi i drejtësisë merret me konfliktet e çfarëdolloj natyre dhe këtu është e qartë që konfliktet eventuale të mundura të subjekteve politike në funksion të rezultatit të zgjedhjeve mund të angazhojnë në mënyrë të qartë edhe Kolegjin Zgjedhor", tha Topi, duke shtuar se njerëzit e përzgjedhur kanë realizuar standardet e kërkuara dhe tek e fundit ajo që kërkohet maksimalisht është pozicioni i tyre korrekt. Sipas Presidentit, "askush nuk mund të qahet për mungesën e kontureve të gjyqësorit dhe sot ajo që presupozon një nga elementët më të rëndësishëm të shtetit të së drejtës është korrektësia e marrjes së vendimeve në rastet eventuale të kontestimeve dhe të vendosjes në tryezën ku do të merren vendimet e Kolegjit Zgjedhor të çështjeve që nuk kanë të bëjnë thjesht me një çështje të segmentuar, me një çështje që ka të bëjë me subjekte politike, por në radhë të parë me vullnetin e elektoratit shqiptar". Sipas tij, çdo parti politike ka përgjegjësinë e vet, është multidimensionale, dhe për këtë arsye përgjegjësia e Kolegjit Zgjedhor është maksimale.

Reforma në drejtësi
Topi tha se në funksion të frymës elektorale, padyshim edhe të marrëdhënieve të cilat konsiderohen jetike për demokracinë: të marrëdhënieve midis legjislativit, ekzekutivit, por edhe të sistemit të drejtësisë, patjetër partitë politike duhet të shprehen. "Unë nuk mund të jem personi, pa asnjë lloj cilësie, që të orientojë partitë politike të realizojnë performancën e tyre elektorale, por me cilësinë e këtij pozicioni mjaft të rëndësishëm që ka të bëjë me të ardhmen e sistemit të drejtësisë, me vendosjen e parametrave të standardeve evropiane të shtetit të së drejtës, i ftoj që të prononcohen për vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë", tha Presidenti. "Por është shumë e rëndësishme që partitë të prononcohen në mënyrë elokuente, në mënyrë të qartë, që vazhdimi i reformës në sistemin e drejtësisë mbi bazën e vizionit të tyre dhe asnjëherë subjekt i politikës dhe vendosja e diferencave në spektrin politik, që të demonstrohet apo të dëshmohet se politika e reformave është jetike për sistemin e drejtësisë dhe për institucionet në Shqipëri", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›