E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Valentina, hyn Renato

Bazuar në votat e publikut, Valentina ka lënë përfundimisht shtëpinë e “Big Brother”, duke hequr dorë nga çmimi i madh. Natën e mbrëmshme, një konkurrent i ri ka hyrë në shtëpi. Ai është Renato nga Tirana, 23 vjeç. Për shkak të sëmundjes, edhe Gjimi nuk mund të kthehet më në shtëpinë më të famshme në vend

Nata e spektaklit të tretë të “Big Brother” në “Top Channel” ka vijuar edhe një herë me emocionet dhe surprizat e javës, në qendër të së cilave kanë qenë ngjarjet më domethënëse, ku janë përfshirë konkurrentët e këtij edicioni: debati i Jetmirit me Valentinën dhe ndodhia e pazakontë e së enjtes, sëmundja e Gjimit. Këto kanë zënë vend gjatë spektaklit, ashtu si edhe mjaft episode të tjera
Sëmundja largon Gjimin nga BB
Për respekt ndaj publikut, por edhe për efekt të formatit “reality show” të spektaklit “Big Brother”, dje u shfaq për të gjithë, në mënyrë të dokumentuar, se çfarë ka ndodhur me Gjimin, banorin që u sëmur ditën e enjte brenda shtëpisë. Arbana ka bërë me dije se familja e tij është informuar për gjithçka ka ndodhur. Gjimi, i cili ka shfaqur shenja shëndetësore shqetësuese, është vizituar nga mjeku, i cili ka marrë vendimin që të çohej urgjentisht në spital. Banori i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ky fakt ka vënë në diskutim pjesëmarrjen e tij në këtë “reality show”. Atij i duhet të qëndrojë gjatë në spital, ndaj edhe nuk mund të kthehet sërish brenda shtëpisë. Arbana lidhet me banorët e tjerë, duke u referuar atyre vendimin që Vëllai i Madh ka marrë në lidhje me Gjimin, të cilit, për shkak të sëmundjes, i është dashur të dalë prej shtëpisë. Arbana tha se pavarësisht asaj që ndodhi, Gjimi ka dhënë kontributin e tij në shtëpi dhe për këtë arsye Vëllai i Madh ka vendosur ta përshëndesë me një klip. Gjimi falënderon për këtë eksperiencë të bukur banorët dhe stafin e spitalit. Nga spitali, Gjimi u kërkon banorëve që ta mbajnë mend për momentet e bukura që kanë kaluar së bashku.
Eliminohet Valentina, hyn Renato
Valentina është konkurrentja e parë, e cila largohet me votat e publikut prej shtëpisë më të madhe dhe më të famshme në vend. Valentina, në kandidim me Gracielën dhe Bertinën, e kanë përjetuar në mënyra të ndryshme këtë kandidim dhe çuditërisht edhe banorët e tjerë kanë reaguar në forma mjaft të ndryshme. Me largimin e Valentinës, Vëllai i Madh ka vendosur që një tjetër konkurrent të bëhet pjesë e shtëpisë. Ai quhet Renato. Ka qenë pikërisht e eliminuara ajo që e ka takuar e para konkurrentin e ri, sapo ai ka hyrë në shtëpi. Ajo i ka dhënë atij disa këshilla për mënyrën se si duhet të sillet brenda shtëpisë.
Graciela dhe jeta e saj
Për shumë nga banorët ka ende detaje nga jeta që nuk janë zbuluar akoma. I tillë është edhe rasti i Gracielës, vajzës nga Shkodra. Jeta e saj nuk ka qenë e lehtë, sikundër edhe hyrja e saj brenda shtëpisë së “Big Brother”, për të cilën ka sakrifikuar shumë. Graciela ka humbur të ëmën dhe tani personi më i rëndësishëm për të është i ati, i cili edhe pse i verbër, është një njeri mjaft i veçantë. Gjatë një klipi mësohet më shumë për lidhjen e veçantë që ekziston mes të dyve. Përmes një klipi, Vëllai i Madh ka suprimuar Gracielën me një mesazh nga i ati. Më pas, në dhomën e rrëfimit, vajza nga Shkodra gjen edhe një surprizë, një dhuratë e menduar nga “Big Brother”, ku bëhet fjalë për një kornizë me një montazh fotosh nga më të rëndësishmet brenda shtëpisë, si dhe të familjes së saj.
Humbasin provën e javës
Edhe kësaj jave, objekti i provës ka qenë Shqipëria. Kësaj here banorëve u është dashur të përballen me traditën gastronomike të saj. Atyre u është dashur të përgatisin një pije tradicionale, që ishte rakia, dhe disa pjata tipike shqiptare. Gjithashtu, banorëve u është dashur të mësojnë dhe të interpretojnë këngë e valle tradicionale shqiptare. Rakia është dorëzuar në studion e spektaklit të “Big Brother”. Ajo është provuar nga disa persona, nga publiku në sallë, si dhe nga opinionisti Arian Konomi. Ndër të tjera, banorët interpretuan edhe një këngë popullore e pas saj edhe një valle. Vëllai i Madh ka vendosur që banorët e kanë humbur provën, duke përgjysmuar kështu buxhetin e javës.
Banorët fitojnë dhuratat
Arbana thotë se duke pasur parasysh kushtet e vështira në të cilat ndodheshin banorët, javën e kaluar “Big Brother” u dha atyre mundësinë të fitonin disa dhurata me anë të një loje. Duke qenë se javën e parë ata nuk ia dolën të fitonin lavatriçen dhe jorganët e ngrohtë, atëherë Vëllai i Madh u ka dhënë një mundësi tjetër. Për t’i fituar ato, Eduardi, i cili ka prirje në pikturë, duhet të kalojë një provë. Atij i është dashur të pikturojë mbi një pëlhurë krejtësisht të veçantë. Në oborr gjendeshin tre modele që mbanin veshur peliçe, si dhe çdo material tjetër i nevojshëm për të pikturuar. Eduardi takon vajzat, të cilat i duhet t’i pikturojë për pak minuta që i janë vënë në dispozicion. Eduardi arrin të fitojë lavatriçen dhe jorganët e ofruar nga Vëllai i Madh.
RenatoMosha: 23 vjeçVendbanimi: TiranëVendlindja: TiranëArsimi: I lartë, Shkenca PolitikeProfesioni: Ekspert ndërmjetësimi pronashStatusi civil: Beqar
Të dhëna:Ka njohuri në fusha të  ndryshme, filozofi, psikologji, politikë. Ka punuar mbi 3 vjet si menaxher marketingu në bankë, në kompani ndërtimi. Thotë  se ka personalitet, karakter të fortë, zotëron energji, guxim, vullnet dhe krenari. BB për Renaton është një sfidë, përtej famës. është djalë me shumë iniciativë. Ka shumë guxim, shkathtësi dhe aftësi për t’i bindur shpejt njerëzit. Lexon shumë. Pëlqen Niçen dhe filozofinë e tij për jetën. E njeh mjaft mirë veprën e tij. është dakord me konceptin e Niçes për njeriun. Në 8-vjeçare është marrë me pikturë. Ka vesh muzike, por në nivele amatore. Renato ka si parim frazën “unë dua” dhe jo “unë duhet”. është i ashpër ndaj gjërave që ulin vlerat njerëzore. Ndihet gjithmonë pjesë e grupit, parapëlqen t’i menaxhojë gjërat. E vetmja gjë nga e cila ka frikë është shëndeti. Frikërat e tjera mundohet t’i shmangë. Motoja e tij është të kërkojë e të zbulojë pafundësisht gjëra të reja. Nuk duron dot parazitët, njerëzit që s’japin asgjë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›