E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largon presionin nga Arsene Wenger

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, u është kundërpërgjigjur kritikëve që thonë se ai nuk u jep rast britanikëve të rinj, duke aktivizuar pesë prej tyre në fitoren 3:1 ndaj Fulhamit të shtunën. Mesfushori uellsian Aaron Ramsey u vlerësua lojtar i ndeshjes, ndërsa udhëhoqi Arsenalin drejt pikëve të para të fituara në këtë stinor të Premier Leagues. Po ashtu në fushë ishin edhe anglezët Carl Jenkinson, Kieran Gibbs e Theo Walcott, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizua uellsiani tjetër Jack Wilshere.

"Gjatë afatit kalimtar njerëzit janë aq shumë të fokusuar se cili lojtar po vjen, saqë harrojnë sa të mirë janë lojtarët që kemi në skuadër. Dikush më tha se është një artikull interesant në një gazetë. Personalisht nuk e lexova, kështu që nuk u jap garanci, por ata duket se kanë thënë 'se nuk sjellim lojtarë të rinj, por në anën tjetër, edhe lojtarët britanikë nuk kanë rast të luajnë në Premier League'. Nëse shikoni skuadrën tonë sot, kishit Jenkinsonin që fitoi rastin, Walcottin që ka nisur mirë me ne, pastaj Ramseyn, Wilsheren, Gibbsin - të gjithë lojtarë britanikë që kanë rastin te ne. Duhet të na vlerësoni për këtë", ka thënë Wenger.

Trajneri i Arsenalit ka vlerësuar lart paraqitjen e sulmuesve Olivier Giroud, që shënoi golin e parë, dhe Lukas Podolski, që shënoi dy golat tjerë.

"Jam i lumtur për Podolskin, pasi ai nuk ka startuar shumë së fundi. Jam i lumtur pasi luan me plot shpirt dhe di të shënojë gola. Të gjithë në skuadër e duan Lukasin dhe unë dua ta mbaj atë. Kur një lojtar nuk luan ai nuk është i kënaqur dhe Lukasi nuk ka startuar shumë. Po ashtu Giroud ka bërë lojë fenomenale. Ai është në stinorin e dytë me ne, dhe po tregohet më i mirë se në stinorin e parë. Ai edhe teknikisht ka qenë impresionues sot", ka thënë Wenger.

Të premten mediumet gjermane kanë raportuar se Podolski është pranë huazimit te Schalke./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›