E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodra: Shqiptarëve u mungojnë të drejtat bazë

Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësimin për mosrespektimin e përkeqësimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. "Ndonëse Shqipëria është një vend evropian në një fazë të avancuar në procesin e integrimit, mazhoranca qeverisëse u ka mohuar shqiptarëve edhe të drejtat më elementare njerëzore si të drejtën për të zgjedhur, për t‘u zgjedhur e për të shprehur vullnetin politik - duke prodhuar destabilitet politik, prandaj reforma elektorale është emergjencë për vendin". Kështu u shpreh dje Filloreta Kodra, nënkryetare e LSI-së. Sipas saj është mohuar edhe e drejta për të gëzuar pronën që po i kushton qeverisë shqiptare me miliona euro në dëmshpërblime ndaj pronarëve dhe po pengon zhvillimin ekonomik. Ajo ka renditur më tej mungesën e të të drejtës së punës. "Largimet masive me bazë politike nga puna u kanë mohuar këtë të drejtë dhjetëra mijëra shqiptarëve, duke i zhytur ata në varfëri", tha Kodra. Ndër të drejtat e munguara, ajo përmendi edhe arsimin, kujdesin shëndetësor e social, duke theksuar se ato po bëhen gjithnjë e më të paarritshme. LSI kërkoi zbatimin e të gjitha konventave vendimeve e akteve të tjera për respektimin e dinjitetit të shqiptarëve, si themeli i zhvillimit e përparimit të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›