E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haiti, rinis transportimi i të plagosurve drejt SHBA

Ushtria amerikane rifillon transportimin e të plagosurve nga tërmeti I Haitit. Zyra presidenciale amerikane bëri të ditur se janë dhënë premtime brenda vendit dhe prej partnerëve jashtë vendit për kapacitete të tjera mjekësore. Fluturimet e të plagosurve drejt SHBA-ve u ndalën të mërkurën, pasi shteti federal Florida, ku janë dërguar shumica e viktimave, njoftoi për mungesë kapacitetesh për vendosjen dhe trajtimin mjekësor të tyre. Guvernatori i Floridës Charlie Crist ka kërkuar një shpërndarje më të drejtë të ngarkesave financiare. 

Rreth tri javë pas termetit katastrofal në Haiti njoftohet për rreth
200.000 të lënduar, ndërkohë që numri i të vdekurve ka shkuar deri në
rreth 180.000.  Në këtë kuadër Kombet e Bashkuara kanë filluar një
operacion masiv për shpërndarjen e ushqimeve në Por-au-Prince.
Gjashtëmbëdhjetë pika shpërndarëse janë ngritur në qytet, me qëllimin që
gjatë dy javëve, të marrin ndihma 2 milionë vetë.

Sipas Programit Botëror për Ushqimin (WFP) vetëm gratë do të lejohen që
të marrin ndihma, pasi kjo ka provuar të jetë rruga më e mirë që ndihmat
t'u shkojnë atyre që kanë më shumë nevojë. Burrave do t'u kërkohet që
të presin jashtë qendrave të shpërndarjes së ndihmave për të shoqëruar
gratë pasi  gratë e pashoqëruara mund të bëhen pre e sulmeve. Organizata
tha se do të punohet me autoritete lokale që burrat të cilët kanë
nevojë për ndihmë, të mos përjashtohen nga procesi.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›