E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larje hesapesh, dy ekzekutime dje

Dy vrasje me armë kanë ndodhur dje në mbrëmje në harkun kohor të dy orëve. Vrasja e parë ka ndodhur në qendër të qytetit të Shijakut, ndërsa tjetra në një rrugë kryesore të lagjes "Xhabije" të Shkodrës. Në të dyja rastet bëhet fjalë për ekzekutime të mirorganizuara dhe për "larje hesapesh" mes personash që merren me aktivitete të paligjshme.

Shijak

Hasan Bega, 46 vjeç, lindur e banues në Shijak, është vrarë me armë zjarri rreth orës 19:15 të mbrëmjes së djeshme, në lagjen "Erzen", fare pranë qendrës së qytetit. Dëshmitarë okularë panë një motoçikletë tek lëvizte me shpejtësi në rrugët e qytetit për të ndaluar pranë viktimës. Njëri nga dy personat që ndodheshin mbi motoçikletë ka qëlluar me armë zjarri mbi 46-vjeçarin. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Më pas mjeti është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke lënë pas tmerr, panik mes njerëzve dhe viktimën të mbytur në gjak. Viktima njihet si kontingjent me precedentë kriminalë. Burime nga policia lokale thanë për gazetën se hakmarrja dhe larja e hesapeve janë dy pistat kryesore ku po hetohet. Një vrasje e bërë vite më parë ka rënduar mbi viktimën për shumë kohë dhe pista kryesore është ajo e gjakmarrjes për krimin që i mori jetën burrit të motrës së Hysen Begës. Ndërkohë që një pistë tjetër është larja e hesapeve për situata të ndryshme në të cilat ishte përfshirë viktima. Burimet flasin për pagesa të pashlyera, probleme me banesën dhe të tjera histori të vjetra e të reja, të cilat e kanë zgjeruar shumë rrethin e të dyshuarve si autorë të krimit, që mbrëmjen e djeshme ktheu pas shumë kohësh të bardha vrasjen në Shijak.

Forca të shumta policore janë mbledhur brenda pak minutash në vendngjarje nga komisariatet e Policisë së Shijakut dhe Durrësit, përfshirë dhe agjentët e antikrimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Postblloqe për të kapur motoçikletën me të cilin u larguan atentatorët, u ngritën në të gjitha pikat kyçe të qytetit dhe në daljet e tij, ndërkohë ka nisur menjëherë aksioni për krehjen e të gjithë zonës. Por, deri natën vonë nuk është bërë i mundur identifikimi dhe as kapja e tyre.

Shkodër

Pa kaluar dy orë nga vrasja në Shijak, një tjetër ekzekutim me armë zjarri ka ndodhur në qytetin më të madh të Veriut të Shqipërisë, në Shkodër. Esat Valbona, 45 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Shkodër, është ekzekutuar me armë zjarri në ambientet e brendshme të një kafeneje në lagjen "Xhabije". Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 të mbrëmjes së djeshme në një lokal pranë rrugës kryesore hyrëse të qytetit të Shkodrës. Nga burimet policore mësiohet se Valbona është qëlluar nga jashtë lokalit, ndoshta me anë të një pushke snajper. Policia tha se ka identifikaur autorin por nuk e bëri të ditur emrin e tij. Burimet policore thanë gjithashtu se ka informacione të mjaftueshme për autorin dhe për motivet e vrasjes. Burimet policore saktësuan se viktima Esat Valbona është pronar i një hoteli, një kafeneje dhe një lavazhi në Shkodër dhe njihej si person problematik. Duke u nisur edhe nga e shkuara e tropojanit, policia ka ndërtuar skemën e hetimeve në bazë të dyshimeve për larje hesapesh.

Pogradec

Ekzekutimi, nga

vrasës me pagesë

Ekzekutimi i emigrantit të ardhur nga Italia mund të jetë bërë për pazare në Itali. Kjo është pista në të cilën janë përqendruar hetimet e Policisë së Pogradecit mbi vrasjen e 36-vjeçarit Fatos (Toni) Shyti. Ky i fundit, i vrarë me dy plumba në kokë para banesës së tij, sipas policisë mendohet se është ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Pas hetimeve paraprake, mbi këtë krim të rëndë policia ka hedhur poshtë versionin se motivi mund të ketë lidhje me një konflikt pronësie, ndërsa po e kërkon motivin te bashkëpunëtorët dhe të njohurit e tij gjatë qëndrimit në emigracion në shtetin italian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›