E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau nënë e bir në Velipojë, dënohet me 25 vjet burg

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dënuar me 25 vjet heqje lirie Arjan Zefin, autorin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Velipojë, në muajin dhjetor të vitit 2007. Zefi u shpall fajtor për vrasjen në pritë të një gruaje dhe djalit të saj, por të afërmit e viktimave kanë kundërshtuar vendimin, duke protestuar ashpër se pas këtij dënimi do të duhet ta vënë vetë drejtësinë në vend. Seanca e fundit gjyqësore në ngarkim të 32-vjeçarit Arjan Zefi është zhvilluar dje paradite nën masa tepër të forta sigurie. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për Zefin, mbi të cilin rëndon krimi i vrasjes me paramendim të Age Prekës, 55 vjeçe, dhe djalit të saj, Refaelit, 20 vjeç. Nënë e bir u qëlluan për vdekje nga autori në një pritë të ngritur në rrugën e fshatit Çast të Komunës Velipojë, ku ata jetonin. Prokurorja e kësaj çështjeje, Françeska Lekani, gjatë prezantimit të provave në seancat gjyqësore është shprehur se shtetasi Arjan Zefi ka kryer dy vrasje njëherësh me dashje dhe të paramenduara. Prokurorja Lekani ka hedhur poshtë pretendimin e autorit të kësaj ngjarjeje, sipas të cilit krimi është kryer për vetëmbrojtje, pasi viktima Age Preka ka pasur një pistoletë në brez. Pas prezantimit të provave, prokurorja i ka kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarë Maliq Memqaj, që i pandehuri të dënohet maksimalisht me burgim të përjetshëm për dy vrasjeve me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Por, trupi gjykues vendosi masën e dënimit me 25 vjet heqje lirie, pasi autori ka pranuar krimin dhe është gjykuar me gjykim të shkurtuar. Reagimi i familjarëve të viktimave ka qenë tepër i fortë, pas shpalljes së vendimit. Pjetër Preka, xhaxhai i viktimës Refael Preka, tha: "Gjykata tregon se është e korruptuar, pasi personi në fjalë ka vrarë dy persona me paramendim dhe nuk dënohet maksimalisht. Do ishte e mira të kishte dënim me vdekje, por të paktën të jepej dënim me burgim të përjetshëm. Ky dënim që dha gjykata na bën ne familjarëve që t‘i drejtohemi vetëgjyqësisë. Do të marrim gjakun e nipit dhe kunatës së vrarë". Me lot në sy Pjetër Preka u premton të vrarëve se do ua marrë gjakun dhe akuzon gjykatën si të korruptuar dhe nxitëse të vetëgjyqësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›