E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhanpirja dhe fëmijët

Në verën e vitit 1957 fillova punë në Shkodër dhe jam pediatri i tretë në Shqipërinë e veriut. Vdekshmëria foshnjore ishte në shifra të paimagjinueshme për një mjek të ri, që kishte të freskëta të dhënat e vendeve të tjera. Që në fillim u bindëm se gjendeshim para një problemi më shumë shoqëror. Prekeshin së pari familjet e varfra, pa punë, ose me të ardhura të pakta, arsim të ulët dhe analfabete që kishin shumë fëmijë. Kjo gjendje pranohej sadopak dhe nga shteti, por na doli dhe një faktor plus: duhani. OBSH kërkon zbatimin e nismës "një ditë pa duhan". Për të pastruar mjedisin?! Qëllimi i saj është të bindë qytetarët, së pari qeveritë, për dëmet e tij. Duhani dëmton jo vetëm atë që e pi, por edhe ata që e rrethojnë. Në vendet e BE-së ndalohet me ligj pirja e duhanit në vende publike dhe gjobitet ai që e pi e më shumë pronari i ambientit që e lejon. Edhe në vendin tonë ligji doli, por asnjë ditë nuk u zbatua. Kur pihet në zyra, përse të mos pihet në kafene. "Fiks Fare" më 17 dhjetor dha pamje nga shkolla e fakultete ku nxënës, studentë e pedagogë pinin duhan.

Tek ne pihet duhan në çdo mjedis, në prani dhe të grave shtatzëna, fëmijëve e deri të porsalindurve. E pinë të rriturit, të miturit dhe femrat. Pyetja që ngrihet është se ku i gjejnë lekët këta të rinj që shpenzojnë çdo ditë. Kësaj pyetje duhet t‘i përgjigjen edhe sot prindërit, edukatorët, sociologët. Sot kjo pamje është e zakonshme, por ku do të shkojmë me rritjen kaq të madhe të konsumit të duhanit, që në mosha kaq të reja.

Dëmet me karakter shëndetësor janë të përgjithshme: të gjitha sëmundjet e mushkërive, zemrës, stomakut, kancerit takohen më shpesh tek duhanpirësit. Duhani i pirë nga femrat dëmton ato, por edhe fëmijët e tyre. Nëna dhe fëmija janë një unitet biologjik. Jeta fillon që në fekondimin e vezës. Çdo të mirë apo të keqe e ndajnë bashkë, të dytën e pëson fetusi. A mund të zhvillohet një fetus që rritet në mjedisin e një helmi si një fëmijë tjetër. Kurrë jo. Ndryshimi shihet që në momentin lindjes. Ujërat e parë që nxjerr gruaja nga plasja e membranave që i hapin rrugën në momentin e lindjes duhet të jenë të pastra. Tek pirëset e duhanit, ato janë të pista, me erë të keqe, çka detyron që të fillojmë trajtimin e fëmijës me antibiotikë (këto ujëra foshnja i ka thithur gjatë lindjes) për të shmangur sëmundjen e mushkërive me rrezikshmëri të lartë për jetën. Ngadalëson zhvillimin amtar. Pesha e tyre është 250-300 gram më e vogël se pesha e një fëmije me nënë jo duhanpirëse. Fëmijët e lindur me peshë të vogël janë dy herë më të shpeshtë me ndikim në vdekshmërinë foshnjore. Në familje në ambiente ku pihet duhan, fëmijët e tyre kanë sëmundje të organeve të frymëmarrjes, të cilat takohen pak më shpesh tek këta fëmijë. Rritja e rasteve me astmë bronkiale, nga e cila fëmija mund të vuajë gjithë jetën, ka lidhje me pirjen pa kursim të duhanit në ambientet e shtëpisë. Të zbatohet ligji jo me fjalë për ndalimin e pirjes së tij në mjedise publike. Të ndërgjegjësohet pirësi për dëmet që shkakton pirja në ambientet e familjes. Prindërit të kontrollojnë se ku i harxhojnë fëmijët paratë, sidomos ata të moshës 13-15 vjeç. Të pakësohet importi dhe të rritet çmimi i tij. Thonë se shkolla më e mirë është shembulli vetjak. Ja përse na takon të gjithëve të luftojmë së bashku për pakësimin e pirjes së këtij helmi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›