E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të jetë anglishtja e së ardhmes?

Më 23 shtator të vitit 1938, teknikët e "Westinghouse electric&manufacturing company" groposën një kapsulë të epokës në një park të Nju Jorkut, ku do të zhvillohej panairi botëror i vitit 1939. Së bashku me disa sende të tjera, në kapsulë gjendej edhe një "çelës për të kuptuar anglishten", i cili përmbante fjalët, shqiptimet dhe gramatikën e anglishtes amerikane të shekullit XX. Qëllimi ishte të ndihmonte njerëzit që do ta zbulonin pesëmijë vjet më vonë, të kuptonin një gjuhë të mistershme, siç është për ne ajo e hititëve të lashtë.

Autori i atij dokumenti, John Harrington, imagjinonte se në vitin 6939, anglishtja do të ishte krejtësisht ndryshe. Por si do të ndryshonte? A është e mundur të parashikosh se si do të jetë ajo pas pesëmijë ose pesëqind mijë vjetësh?

Do të jetë kështu: "I punya manglish iz wely chekai wan lah, singlish lagi terok, i tok chinglish beter" ("Nuk e flas mirë anglishten e Malajzisë dhe atë të Singaporit, por flas mirë anglishten kineze").

Ose kështu: "Our Father, who comes to us from above, your name is holy" (Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt).

Ose kështu: "It musve ben some girt jynt thinj hy hy up and with a shyning and a flashing to it time back way back when they had boast in the air and all the res of it" ("Duhet të ketë qenë njëra prej atyre gjërave të rrumbullakëta që ndriçonin në qiell shumë kohë më parë").

Ka shumë mundësi që zbuluesit e asaj kapsule të epokës do të kenë nevojë për çelësin e leximit të Harrington, sepse pesëmijë vjet janë një periudhë e gjatë kohe për jetën e çdo lloj gjuhe. 1600 vjet më parë, popujt, të cilët flisnin gjuhët që në vazhdim u bënë baza e anglishtes, nuk kishin ardhur ende në Angli. Mijëra vjet më parë, anglishtja ka qenë shumë ndryshe nga ajo që flitet sot, të cilën mund ta konsiderojmë një gjuhë tjetër. Pak njerëz janë në gjendje të lexojnë një poemë si "Beowulf" në anglishten e vjetër. Anglishtja mesjetare e përdorur në vitet 1300 nga Geoffrey Chaucer te "Canterbury tales", ka nevojë për përkthim, që të bëhet më e kuptueshme. Edhe anglishtja moderne e William Shakespeare, që ka lindur katërqind vjet më parë, mund të jetë e vështirë për t‘u kuptuar.

Evolucioni historik është një guidë e vlefshme për të ardhmen. Një hipotezë që kanë hedhur shumë studiues është se anglishtja moderne po ndjek të njëjtin zhvillim të latinishtes klasike, gjuha globale e një perandorie të fuqishme që pësoi një evolucion gradual, u shkatërrua dhe në fund u varros nga pasardhësit e saj. Sipas historianëve të gjuhës, në vitin 300 pas lindjes së Krishtit, latinishtja popullore kishte një fjalor, shqiptim dhe gramatikë shumë ndryshe nga ajo klasike e elitës. Pesëqind vitet pasardhëse kjo latinishte "vulgare" u copëtua në dialekte krahinore, gjithnjë e më të diferencuara. Në vitin 800 pas Krishtit, ishte përhapur një familje e gjuhëve të para të italishtes, frëngjishtes, spanjishtes dhe gjuhëve të tjera bashkëkohore. Kush fliste një prej tyre, nuk arrinte më të kuptonte të tjerat.

Zanoret dhe bashtingëlloret

Historia nuk thotë asgjë. Suksesi që anglishtja ka mbledhur në të gjithë botën dhe zhvillimi i madh i komunikimeve globale e bëjnë një fenomen pa precedentë. Fatmirësisht, kërkimet e fundit mbi evolucionin e anglishtes, mund të na ndihmojnë. Padyshim që lindin fjalë të reja, kuptimet ndryshojnë dhe termat e vjetruara zhduken. Kjo ndodh me të gjitha gjuhët. Fjalori nuk ndryshon vetëm se dikush shpik fjalë të reja, po edhe sepse fjalët marrin kuptime të reja dhe kombinohen në mënyra të ndryshme. "Për këtë arsye, ndoshta anglishtja e 2300-ës do të na dukej më e vështirë për t‘u kuptuar në krahasim me atë të vitit 1700", thotë një historian i gjuhës angleze. Shekspiri (Shakespeare) për shembull, njihte fjalët "hot, dog, ice dhe cream", por nuk mund ta dinte që sot nënkuptojnë "hotdog" dhe "icecream" (akullore).

Është e vështirë të parashikosh fjalorin e së ardhmes, por është edhe më e vështirë të imagjinosh se si do të shqiptohen fjalët dhe se si do të ndryshojnë frazat. Pesëdhjetë vjet më parë, një profesor gjuhësie në Universitetin e Miçiganit, parashikoi disa karakteristika të anglishtes, duke analizuar, për shembull, zhvillimin e ndryshueshëm të zanoreve. Nga shekulli XII deri në shekullin XVI, anglishtja pësoi një "ndryshim zanor të madh": disa zanore u shkurtuan (si në kalimin nga "i" tek "ai" në fjalën mice), ndërsa disa të tjera u nyjëtuan më para në kavitetin oral (për shembull, zanorja që në anglishten mesjetare shqiptohej "o", u bë "u" si në fjalën boot). Ky spostim vazhdon të kryhet. Historiani anglez parashikonte se disa zanore angleze do të vazhdonin të evoluonin. Fjala "home" (shtëpi), që në gjermanisht shqiptohet "haim", ndërsa në anglishten e vjetër "hahm" dhe atë mesjetare "haum", një ditë mund të shqiptohet "hum". Në fakt, disa zanore duket se janë të pandryshueshme, si "i" e "ship", "e" e "bet", "o" e "ox" dhe "u" e "full". Këto zanore janë të njëjtat prej shekujsh. Për gramatikën, historiani anglez kishte parashikuar ndryshime më drastike: me kalimin e viteve, shumë fjalë angleze do të humbnin çdo lloj lakimi.

Ruajta e gjuhës

Ndryshimet e anglishtes do të jenë shumë të ngadalta. Në tetor të vitit të kaluar, revista "Nature" publikoi një artikull që fliste mbi shpejtësinë e ndryshimit të foljeve të parregullta, që krijonin trajtën duke marrë prapashtesën "ed" për të shkuarën. Ky ndryshim ka ndodhur gradualisht gjatë 1200 viteve të fundit, hap pas hapi, kur anglishtja largohej nga rrënjët e saj gjermanike. Për shembull në anglishten mesjetare, e shkuara e "help" nuk ishte "helped" por "holp".

Autori kryesor i artikullit, një studiues britanik i matematikës, bëri një listë me 177 folje të parregullta të përdorura në anglishten e vjetër, mesjetare dhe atë moderne, duke llogaritur përdorimin e tyre në jetën e përditshme. Foljet e parregullta më shpesh të përdorura nuk ndryshojnë (në fakt dhjetë foljet më të përdorura be, have, do, go, say, can, will, see, take dhe get, janë të gjitha të parregullta). Nga 177 foljet e gjetura nga studiuesi, 79 prej tyre kanë qenë të rregullta. Ajo që duam të dimë është se çfarë ka ndodhur me 98 të tjerat? Sipas studiuesit, vetëm dhjetë prej tyre do të bëhen të rregullta brenda vitit 2500.

Fantazmat e së shkuarës mund të jenë të vlefshme për të bërë parashikime, por për të pasur një ide më të saktë për drejtimin se nga po shkon anglishtja, duhet të marrim në konsideratë faktet e së tashmes. Në të ardhmen, ndryshimet më domethënëse do të bëhen nga persona që do ta mësojnë anglishten si gjuhë të dytë. Anglishtja nuk do të mund të zëvendësohet nga gjuha kineze ose spanjolle. Një filolog anglez parashikon se brenda vitit 2010, në të gjithë planetin do të jenë 2.5 milionë persona që flasin anglisht, ndërsa numri i atyre që flasin anglishte të pastër është 350 milionë. Brenda vitit 2020, numri i personave që do të flasin anglishte të pastër do të ulet në 300 milionë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›