E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vetëviktimizimi" i Serbisë

"Vetëviktimizimi" është shndërruar në motiv, që po udhëheq gjithë veprimtarinë politike e diplomatike të shtetit të Serbisë. Ai përdoret përditë nga propaganda shtetërore serbe për të përligjur situatën jo të kënaqshme ekonomike dhe politike të qytetarëve të Serbisë dhe për të inkurajuar e mbajtur të varur nga politika beogradase të gjithë bashkëkombësit serbë të mbetur jashtë kufijve pas shprishjes, më shpesh të përgjakshme, të ish-Federatës Jugosllave. "Vetëviktimizimi" synon dhe mendoj se e ka arritur "qetësinë" mes qytetarëve të Serbisë për të mos u shfaqur në protesta ndaj privatsioneve aktuale ekonomike, sociale dhe politike ndaj qeverisjes dhe pushtetit. Logjika "vetëviktimizuese" prek e ndikon në ndjenjat kombëtare dhe i shtyn qytetarët serbë të pranojnë dhe të pajtohen me privatcionet dhe "vetizolimin" e tyre nga Evropa demokratike. Kjo logjikë mban gjallë, ushqen dhe nxit për ditë nacionalizmin në radhët e tyre brenda dhe jashtë kufijve politikë të shtetit serb. E bën këtë dukshëm në Republikën e Kosovës, në Bosnjë e Kroaci dhe jo pa efekte të ndjeshme në Maqedoni e Mal të Zi. Republika e Serbisë po vetëshpallet botërisht e "viktimizuar". Zgjedhja që ka bërë dhe që po e demonstron që prej gusht-shtatorit 2008, e shoqëruar me një punë "24-orëshe" diplomatike, siç u shpreh Vuk Jeremiç. Amplifikimi i "vetëviktimizimit" kushtëzoi votën në favor të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta çuar njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës në Gjykatën e Hagës. Shtetarët beogradas deklarohen të sigurt se kjo gjykatë, ku ende bëjnë të "paditurin", madje edhe e quajnë të panevojshme të çojnë kriminelin Mlladiç, do të gjykojë e vendosë anulimin e statusit të njohur të Kosovës shtet nga një e treta e anëtarëve të OKB-së.

Në një fjalë të urtë shqipe, thuhet: "Hajduti kërkon të kapet hajduti". Vrastarët barbarë të boshnjakëve myslimanë dhe të katolikëve kroatë, autorët e Vukovarit në Kroaci, të Srebernicës në Bosnjë, të gjenocidit, vrasjeve masive, përdhunimeve në Kosovë, pas gati 9 vjetësh po shtiren si viktima. Dhe po shtiren si të tillë për të ndikuar emocionalisht ndaj popujve, vendeve e shteteve, që nuk njihen prej tyre, duke shfrytëzuar ndikimin e fjalës "viktimë", që, pas ndjesisë keqardhëse, ngjall ndjesinë e solidaritetit. Nuk mund të neglizhohet efekti i propagandës dhe i diplomacisë zyrtare të Serbisë në vazhdën e përhapjes dhe "rrënjosjes" së idesë së "viktimës" nga raporti aktual kombëtar dhe ndërkombëtar i saj me shtetin e Kosovës. Qytetarët e Kosovës me përkatësi serbe, nën këtë efekt, të ndihen të "persekutuar" nga statusi i tyre ligjor, nga rikthimi i të zhvendosurve, të ndihen të kufizuar për lirinë e lëvizjes dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Propaganda dhe presioni i gjithanshëm shtetëror, që nis nga mbështetja personale, familjare, ekonomike, nga morali nacionalist e përkatësia e besimit fetar, ka peshë e ndikim të ndjeshëm te bashkëqytetarët tanë serbë. Në mesin e tyre po hedh rrënjë ideja e "viktimës", megjithëse zhvillimet reale dëshmojnë të kundërtën.

Ligjërisht, duke filluar nga Ligji Themelor, Kushtetuta e miratuar dhe vepruese e shtetit të Kosovës, por edhe faktikisht qytetarët e etnisë serbe në Kosovë mbrohen e trajtohen të "diskriminuar pozitivisht", pra, në mënyrë të privilegjuar në raport me qytetarët e tjerë të tyre; nga shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët. Ata ankohen për lirinë e lëvizjes, kur ende hyrje-daljet e tyre në Mitrovicën veriore, jo vetëm të njerëzve, por edhe të mallrave nuk kontrollohen nga pushteti qendror dhe vendor i Kosovës. Ankohen për kthimin e të zhvendosurve, kur institucionet shtetërore të Kosovës janë deklaruar botërisht me ligj dhe me mbështetje të gjithanshme për realizimin e këtij procesi. Serbët e shpërngulur gjatë luftës së Kosovës, që nuk kanë bërë krime, i kanë dhe do t‘i kenë të gjitha dyert e hapura; të kufijve shtetërorë, të shtëpive e të pronave të tyre. Nëse duan të rikthehen, mirë se të vinë! Pengesa e deritashme e atyre, që dëshirojnë të kthehen në vendlindje në shtëpitë e pronat nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë Prishtina zyrtare. Shkakun e mosplotësimit të kësaj dëshire, qytetarët serbë të Kosovës duhet ta kishin kërkuar dhe ende mund ta kërkojnë në Beograd. Ky "i do" këta bashkëkombës në territorin e Kosovës për të treguar e dëshmuar shtrirjen e pushtetit të vet edhe tej kufijve të njohur të Serbisë. Përvoja e pasluftës në Bosnjë e nxit dhe e bën të insistojë atë edhe në Kosovë. Ankohen për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe në territorin tone shtetëror, në Pejë, Deçan, Gracanicë etj., kur prej kohësh Qeveria së Kosovës është deklaruar dhe po deklarohet për mbrojtjen e posaçme të monumenteve të kulturës dhe për financimin e rikuperimin e dëmtimeve të shkaktuara në disa prej tyre para disa vjetësh.

Këto kërkesa të Serbisë "së viktimizuar", të formuluara prej kohësh, me siguri i janë parashtruar edhe Kryeministrit të Spanjës, që, nën efektin dhe përvojën e akteve terroriste baske, vendosi tërheqjen e trupave spanjolle nga UMNIK-u në Kosovë, akt ky, që u kundërshtua menjëherë si nga Shefer, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s edhe nga një zëdhënës i Departamentit të SHBA-së ku thuajse përsëriten të njëjtat fjalë: "Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord në parim, që në vitin 1999, se do të angazhohen së bashku në Kosovë dhe do të largohen që andej së bashku".

"Vetëviktimizimi" i Serbisë jo pak i pranishëm në veprimtarinë diplomatike të këtij shteti në rrafshin ndërkombëtar, besojmë të mos jetë ndikues në mbledhjen e 23-marsit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të parashtrohen po ato "ankesa" që pozuan më sipër në këtë shkrim. Ujku, në përrallë luan edhe rolin e qengjit, por atë e tradhton lëkura. Serbia që inicioi 4 luftëra në territorin e ish-Federatës Jugosllave, shtiret viktimë, "qengj". Beogradi zyrtar po kërkon dhe pretendon të përligjë botërisht shndërrimin paradoksal: "Konvertimin e agresionit ushtarak të tyre në viktimë të të vrarëve, të të shkatërruarve, të të përdhunuarve, të të dëbuarve nga ky agresion". Historia e para disa viteve e luftës në Kosovë njihet dhe dihet; kush do të besoj e të mbështesë të kundërtën, le ta bëjë! E vërteta, por edhe realiteti politik ndërkombëtar është me ne, me Kosovën shtet! Mund të vonohemi në konfirmim, por jemi të sigurt në triumfin e tyre!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›