Shefi më thërret në zyrë
Fatos KONGOLI
Afër mesditës, kryeinfermierja më tha se duhej të paraqitesha te shefi i pavijonit. Vështrimit tim pyetës ajo iu përgjigj me një ngritje të supeve dhe më braktisi në mes të korridorit, me urdhrin që të lija çdo punë, të shkoja atje ku më kërkonin.
Zyra e shefit të pavijonit, njëherazi dhomë vizitash e tij, ndodhej në skajin e kundërt të klinikës, përtej një pareti me dyer xhami mat, në fund të korridorit. Për t’u futur te shefi duhej të kaloje një paradhomë, ku vigjëlonte një bionde me emrin dyrrokësh Eda, afërsisht moshatare me mua: rreth të tridhjetave. Nga personeli kjo njihej me nofkën Sharon Stoun. Nuk e kuptoja pse e mbiquanin kështu, midis saj dhe vedetës së famshme nuk kishte ndonjë ngjashmëri. Për këtë arsye, sa herë përballesha me të, e shihja vëmendshëm të gjeja ngjashmërinë. Por më shumë për një arsye jo aq asnjanëse: më pëlqente ta shihja. Më pëlqente edhe parfumi që çlironte trupi i saj. “Një parfum i shtrenjtë parisian”, thonin infermieret.
Para derës së mbyllur të studios së shefit gjendeshin nja pesë-gjashtë vetë, burra e gra. Kur iu afrova, ata më hapën rrugë, trokita me një kureshtje të vakët: ç’punë kishte doktori me mua? Ndërkaq, në kuadratin e derës u shfaq Eda. Më ftoi të futesha brenda dhe, pasi mbylli derën, më tha të zija vend në të vetmen karrige këndej tryezës së saj.
S’po ndihesha e qetë. Nuk gjeja një motiv për të cilin doktori të më thërriste posaçërisht në dhomën e tij të vizitave. Ai nuk thërriste askënd atje, aq më pak një infermiere të rëndomtë si unë. ǒështë e vërteta, prej kohësh nuk impresionohesha nga asgjë, pra, s’do të impresionohesha edhe sikur doktori, në këtë thirrje të papritur, të më komunikonte vendimin më të skajshëm, domethënë se isha e pushuar nga puna. Kjo gjasë përjashtohej. Unë nuk merrja të holla nën dorë nga pacientët, sido që nuk kishte ndodhur të pushohej nga puna ndonjë mjek apo infermiere për një motiv të tillë. Mbaja mend vetëm një rast pushimi, nja tre-katër vjet të shkuara, kur një infermiere u kap duke bërë seks në turnin e natës me një pacient. Më vonë, me ndërrimin e shefit të pavijonit - kjo ndodhte sa herë ndërroheshin qeveritë ose kryheshin ndryshime qeveritare, rrjedhimisht sa herë ndërrohej ministri i Shëndetësisë - me ardhjen në krye të shefit aktual, ajo u rikthye në detyrë me premtimin se nuk do ta përsëriste më gabimin fatal. Ky gjest i shefit të ri, deri atëherë mjek i thjeshtë i klinikës, u mirëprit nga personeli. Për kompensim, askush nuk bëri fjalë kur, pas këtij gjesti, kolegu i ngritur në përgjegjësi, në vend të asistentes së pararendësit, caktoi në paradhomë bionden me emrin dyrrokësh Eda, që e mbiquajtën shumë shpejt Sharon Stoun.
*
Një copë herë u përpoqa të mos i çoja sytë tek Eda. Në fillim i mbajta përtokë, mbi dysheme. Pastaj i enda mbi mure, ku midis posterave me përmbajtje mjekësore, tërhiqte vëmendjen një kalendar i përmasave të mëdha me poza të miseve të vitit të shkuar. Më lindi një mendim: ta pyesja Edën nëse i pëlqente më shumë Miss Albania apo Miss Shqipëria. Më tej, po t’i qe dhënë mundësia dikur, në cilin nga këto spektakle do të kishte dashur të merrte pjesë, te Miss Albania apo te Miss Shqipëria?
Pa i bërë ballë tundimit, sytë më shkuan tek Eda. Kjo po mbushte ca formularë. Mbante veshur një bluzë të bardhë prej cohe të një cilësie më të lartë se bezja e zakonshme e bluzës sime. Nga pozicioni i prirët ku ndodhesha, përfytova të zhytesha në profilin e saj, me lakoret e buta të ballit, hundës, buzëve të mbyllura. Atje sytë qëndruan për një çast. Pata dëshirë t’i shkoja pranë, t’i prekja buzët, t’ia thithja. E alarmuar se mos ajo e kishte kapur këtë dëshirë timen, ngriva në pritje të ndonjë reagimi. Fjala vjen, të më urdhëronte të zhdukesha nga paradhoma. Por ajo, indiferente ndaj meje, vazhdoi të merrej e patrazuar me plotësimin e formularëve. I lashë buzët, zbrita poshtë, te lakoret e mjekrës, gushës dhe, edhe më poshtë, atje ku bluza e kopsitur deri sipër lejonte paksa shfaqjen e gufmimit të gjinjve. Dyshova se gjinjtë ishin të lëshuar, pa sutiena. Dyshova gjithashtu se, për shkak të vapës, nën përparësen e bardhë nuk mbante as këmishë. Atëherë kërciti dera e dhomës së doktorit. U drodha dhe automatikisht u gjenda më këmbë.
Doktori, nja dyzet e pesë vjeç, me një bluzë të bardhë prej së njëjtës copë të cilësisë së mirë të asistentes, më tha: “Eja!” Me zë të ulët, me një lloj komplisiteti, të thuash se po më ftonte për një seancë seksi. Edhe kjo gjasë përjashtohej dhe unë u futa në dhomën e vizitave pak a shumë e qetë, ja ngaqë nuk po më ftonin për një seancë seksi, ja ngaqë kontakti në largësi me buzët e asistentes ishte ndërprerë.
“Kjo është zonjusha Parashqevi, për të cilën sapo folëm”, i tha doktori një burri që po rrinte më këmbë, mbështetur pas një biblioteke mbushur pjesërisht me lloj-lloj sendesh. Fakti që doktori më quajti zonjushë, sidomos fakti që deri para pak çastesh ata kishin folur për mua, më hutoi. Burri, një tip i pashëm shtatlartë, rreth të dyzetave, sajoi një buzëqeshje. Me gjithë vapën, mbante kostum e kravatë. Kostumi ishte ngjyrë blu dhe i rrinte mjaft mirë. Kravata po blu, me pika rrumbullake të bardha. Më pëlqeu fytyra e tij, prej nga më shihnin me një lloj kureshtjeje dhe mirëkuptimi bashkë ca sy të qetë. “Zotëria quhet Leonard Voga, shkurt e thërrasin Nardi”, plotësoi njohjen doktori. “Hëpërhë, mëso prej meje se është president i firmës së ndërtimit “Kuartet”. Ke dëgjuar ndonjëherë për firmën “Kuartet”? Është më e fuqishmja në atdheun tonë të dashur.”
S’po merrja vesh asgjë. Unë nuk isha mësuar të trajtohesha me aq afërsi mashkullore. Aq më pak nga burra si doktori apo tipi i pashëm që, me ç’mësova, i përkiste kategorisë së bosëve. Me një parandjenjë të turbullt, mbeta në mes të dhomës, nën vëzhgimin e dy burrave. Pata një si këputje, më erdhi të ulesha në karrige ose në shtratin pranë aparatit me të cilin doktori kryente ekot e zemrës, por përderisa askush nuk po më thoshte të ulesha, u përqendrova. “Nuk e di përse mund të jem e dobishme, doktor”, thashë me gjysmë zëri.
Burrat vështruan njëri-tjetrin. “Mund të jesh shumë e dobishme, ma ktheu doktori, varet nga ti.” Këto fjalë ai i shqiptoi me të njëjtin komplisitet të pak çasteve më parë, kur më kishte ftuar të futesha brenda, të thuash se më ftonte për një seancë seksi. Për shembull, në shtratin pranë aparatit të ekove të zemrës. Në atë shtrat ndodhte që ai t’i bënte ca vizita jo mjekësore asistentes me nofkën Sharon Stoun. Unë vetë nuk shpresoja në mundësinë e ndonjë ftese për vizita të tilla. Megjithatë, fjalët e doktorit, sipas të cilave mund të isha e dobishme dhe, që të isha e dobishme varej prej meje, më ngacmuan. Më çuan të realizoja një arsyetim formal: thirrja ime në dhomën e vizitave të shefit nuk ishte e rastit. Nëse nuk lidhej me shtratin para aparatit të ekove, duhej të lidhej me praninë e burrit të pashëm shtatlartë. Duket, mund të isha e dobishme për të. Po ç’nevojë mund të kishte ai njeri për një qenie si unë?
Nja pesëmbëdhjetë minuta më vonë dola nga zyra e shefit me një lloj pështjellimi. E zhytur te formularët, Eda as e mori mundimin të ngrinte kokën. Ndërkaq, e kishte parë me vend të zbërthente kopsën e sipërme të përparëses, çka më dha mundësi të vërtetoja pjesërisht dyshimet e pak çasteve më parë. Nën bluzë, gjinjtë e saj ishin të lëshuar, pra nuk mbante sutiena. Këmishë mbante. Sikur asistentja të tregohej pak më e njerëzishme dhe të më pyeste për motivin e thirrjes te shefi, do t’ia tregoja, mbase do t’i kërkoja edhe ndonjë këshillë. Asistentja nuk shfaqi ndonjë kureshtje dhe unë dola nga dhoma. Në korridor ndesha të njëtat fytyra që prisnin, dikush u interesua të pyeste nëse kishte ende njerëz në dhomën e vizitave. Nuk iu përgjigja. Ndihesha e shpërqendruar dhe vajta drejt e në sallën e infermierisë.
*
Kryeinfermieren e gjeta tërë nerva. Kjo ishte një grua e shëndoshë, në moshën kalimtare. Vartëset e mbiquanin Hipopotam. Për shkak të trupit disproporcional. Fytyrës, ku shquheshin ca sy të zinj, buzë të trasha, me një shtresë të dukshme qimesh. Dhe gjinjve tepër të mëdhenj. “Ku humbe deri tani, m’u hakërrye, nga bredh?”. “Hipopotam”, më erdhi t’ia ktheja, “nuk më the vetë të shkoja te shefi?” Heshta. U prira ta merrja me të mirë. Si merret me të mirë një kafshë e lodhur. Nëse zbutej, t’i tregoja motivin e thirrjes te shefi.
Ajo nuk u zbut. Më tha të nisesha urgjentisht për në laborator dhe po aq urgjentisht të sillja përgjigjet e analizave të mëngjesit. Pa dyshim, duhej të ishte zënë me dikë dhe shkelmat m’i hidhte mua. Zbatova urdhrin, u nisa drejt laboratorit. Atë ditë mbase do të mund të guxoja të mos ia zbatoja urdhrin, kisha një arsye të fortë të ngrija krye, edhe pa qenë nevoja ta shaja me vete “Hipopotam!”. M’u duk e padenjë. Tani, kur megjithëse ia duroja shkelmat prej më se pesë vjetësh dhe jo rrallë më vinte ta shaja “Hipopotam”, kuptova se ajo ishte e vetmja në pavijon, së cilës do të kisha pasur dëshirë t’i tregoja motivin e thirrjes te shefi.
Nuk po zgjatem. E përmenda Hipopotamin thjesht sepse, me të dalë nga paradhoma e Eda-Sharon Stoun, e përcjellë nga shpërfillja e saj dhe era e parfumit të shtrenjtë parisian, e hasa në infermieri dhe për shkak të ndonjë grindjeje me dikë, po ndoshta, -këtë e çova ndër mend më pas, - për shkak se duhej të gjendej në ujërat e menopauzës, ajo më priti me këmbët e para dhe mua më erdhi keq për të. E shkreta Hipopotam, më kishte ngjallur gjithmonë mëshirë. Jo vetëm sepse më dukej si një kafshë e lodhur. Tek ajo unë shihja vetveten. Megjithëse s’jam aq trupmadhe, nuk kam as buzë të trasha, as ndonjë shtresë qimesh te buzët apo te këmbët. Kjo nuk ndryshon asgjë. Ashtu si Hipopotami, e fusja veten në kategorinë e femrave të shëmtuara. Këto, kur kanë një lloj pushteti, si Hipopotami, përbuzen, urrehen nga koleget. Kur nuk kanë, si unë, shpërfillen. Si një send që bën pjesë kushedi përse në dekorin e mjedisit. Për koleget e mia, në përgjithësi për këdo që hynte e dilte në pavijon, unë kam qenë gjithmonë një send i dekorit. Një qenie në nivelin zero të zhvillimit mendor. Më urdhëronin të gjithë dhe unë u bindesha të gjithëve. Merrja përsipër edhe punë që s’më takonin, të cilat i kryeja pa u mërzitur. Ishte mënyra ime për të mbijetuar, për t’iu përshtatur një bote, ku një femër si unë mbetet jashtë loje.
Atë ditë, pra, mund t’i kisha dhënë vetes të drejtën e një kryengritjeje të vogël. Të mos u bindesha urdhrave të Hipopotamit, të lija çdo punë. T’ia mbathja fare, të largohesha nga pavijoni para mbarimit të orarit zyrtar, pa i dhënë shpjegime askujt. Ndihesha e eksituar. Ose, si thuhet, me një vërshim adrenaline. Dy meshkuj jo si gjithë të tjerët, njëri shefi i pavijonit, tjetri një burrë i pashëm i kategorisë së bosëve, më kishin trajtuar me një afërsi të paprovuar ndonjëherë. Kjo më bëri të realizoja me një lloj hutimi thelbësoren: në sytë e disa njerëzve duket nuk përfaqësoja thjesht një send të papërfillshëm, pavarësisht nëse koleget më quanin me ndonjë nofkë të përshtatshme për një femër të shëmtuar, në shkallën zero të zhvillimit mendor. Asnjëra nga këto konsiderata nuk i pengoi ata dy burra të më ftonin në një konsultë të mbyllur private, të më bënin një propozim. Jo për ndonjë seancë seksi. Por unë u eksitova, në gjak më vërshoi aq shumë adrenalinë, të thuash se ata më ftuan për një seancë seksi.
Pjesën tjetër të ditës e kalova si gjithmonë, duke duruar në heshtje shkelmat e Hipopotamit. Në mungesë të një viktime më komode, kjo vazhdoi të shkarkohej mbi mua, derisa klinika zuri të braktisej nga personeli dhe unë u largova vetëm pasi mbërriti një sanitare e turnit të dytë. Atëherë u ndjeva e këputur. Me një pikëpyetje të madhe brenda vetes: ǒtë bëja?
Ata më kishin hedhur një karrem. Duhej të vendosja, ta kafshoja ose jo. Po të mos e kafshoja, nuk humbisja ndonjë gjë, do të vazhdoja të kryeja në spital ato punë rutinë që i kryeja prej më se pesë vjetësh. Doktori më sqaroi se puna ime vlerësohej pozitive. Përndryshe nuk do të guxonte të më rekomandonte mua te miku i tij, presidenti i firmës “Kuartet”, si më të përshtatshmen për zgjidhjen e një problemi me rëndësi jetike për të. Fjalët “me rëndësi jetike” doktori i theksoi. Pastaj hodhi karremin. Nëse unë pranoja ofertën, jeta ime, përfshi gjendjen materiale, do të ndryshonte rrënjësisht. Në njëfarë mënyre, do të bëhesha pjsë e familjes së bosit. Për të qenë i qetë me veten, ai më kujtoi proverbin “Mat shtatë herë, prit një herë”.
Ka të ngjarë që bosi, i cili tërë kohën më shihte në heshtje, të ketë nuhatur diçka nga natyra ime dyshimtare. Kur doktori i dha fund parashtrimit të ofertës dhe më kujtoi proverbin “Mat shtatë herë, prit një herë”, ai më hodhi një karrem tjetër. Më ftoi të darkonim bashkë atë mbrëmje, në Sky Towrs, në orën tetë. “Do të pres përgjigjen tënde, më tha, sido që të jetë.” Unë nuk e dija se si do të përgjigjesha. Thashë se në Sky Towrs s’kisha qenë ndonjëherë. Ai më tha se do të më priste poshtë, te shkallët e hyrjes. (Nga romani “Bolero në vilën e pleqve”)
10 Gusht 2009