E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi: "Jam gati të blej Milanin”



“Jam gati të marr Milanin”. Kjo është deklarata e fortë e biznesmenit shqiptar të karburanteve, Rezart Taçi, gjatë një interviste për revistën prestigjioze sportive italiane “Guerin Sportivo”, të publikuar dje në Itali. “Nuk besoj se Berluskoni dëshiron të privohet nga Milani, por nëse ajo do të ndodhë ne jemi shumë të interesuar të blej atë”. Në fakt, bosi i “Taçi Oil International”, pati gjatë verës një interesim të fortë për të blerë klubin italian të Serisë A, Bolonja, madje u fol edhe për shifra (24 milionë euro), por pas një bisede “tet a tet” me kryeministrin e Italisë dhe padronin e Milanit, Silvio Berlsuksoni në pallatin kryeministror “Kixhi”, Taçi u tërhoq.
Tashmë, “naftëtari” shqiptar është gati të investojë në klubin me më shumë trofe në botë. “Nuk është aspak e vërtetë që jam qysh tani aksionist, me klubin kuqezi kam vetëm raporte sportive. Pastaj, kam edhe një miqësi të madhe me Silvio Berluskonin dhe Adriano Galianin, plus një programi të bashkëpunimit në të ardhmen në iniciativa si ‘Milan Junior Campus' dhe 'Milan Parc'. Ne jemi të interesuar për të investuar në industrinë energjetike italiane dhe të bëhemi partnerë në kompanitë më të mëdha të pranishme në vend”. Rezart Taçi ka folur edhe për mosblerjen e Bolonjës. “Nuk mund t’i zbuloj motivet e vërteta për të cilat nuk konkluduam në blerjen e klubit”

Bogdani: “Kundër Suedisë, si
ndaj Portugalisë e Danimarkës”

Erjon Bogdani do të bashkohet vetëm të mërkurën me Kombëtaren në grumbullimin kësaj të fundit në Gjermani, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Suedisë, pasi klubi i tij në Itali, Kievo Verona, ka kërkuar lejen e mirëkuptimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për ta mbajtur edhe një ditë më shumë “Princin e Epirit”. “Ndeshja është shumë e vështirë, megjithatë Shqipëria nuk ka se çfarë të humbë me Suedinë. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira me Portugalinë e Danimarkën në Tiranë. Megjithatë, unë them se përballja me Suedinë është një ndeshje shumë e vështirë. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv dhe të ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive”, - tha për televizionin “Vizion Plus” sulmuesi i Kievos, autor i 12 golave në 52 ndeshje me përfaqësuesen. Bogdani pohoi se atij personalisht nuk intereson lufta e “brendshme” e tre të “mëdhave”: Danimarkë, Suedi e Portugali, për një vend në finalet e Botërorit të Afrikës së Jugut. “Nuk më intereson se kush do të kualifikohet, Danimarka, Suedia apo Portugalia. Unë jam lojtar i Shqipërisë dhe dua të luaj sa më mirë për ekipin tim. Kjo nuk diskutohet. Nëse do të më jepet mundësia të shënoj gol, as mos e vini në dyshim që do ta realizoj”, - tha golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në këto eliminatore, 3 gola, dy prej të cilëve kundër Portugalisë e Danimarkës. Bogdani po kalon një fillimsezoni të mirë me Kievon në Serinë A, ku ka shënuar edhe një gol kundër Xhenoas. Sa do të ndikojë forma e tij në dobi të skuadrës.
“Është e vërtetë që po kaloj një moment të mirë, dhe shpresoj ta ndihmoj skuadrën. Gjithsesi, e përsëris se kundër Suedisë është një ndeshje shumë e vështirë. Duhet të japim maksimumin. Duhet të luajmë siç kemi luajtur me Portugalinë dhe Danimarkën. Suedia duhet ta fitojë me çdo kusht ndeshjen tonë dhe duhet të luajë sa më mirë kundër nesh”, - përfundoi Bogdani, një nga katër sulmuesit e thirrur nga trajneri Josip Kuzhe për ndeshjen kundër Suedisë, takimi i fundit i Shqipërisë për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010.

Dos Santos: “Do të vijë dhe goli im”

Braziliani Marko Dos Santos, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në Kategorinë e Parë, kur Gramozi militonte në këtë kompeticion, po vuan mungesën e golit, pavarësisht se sulmuesi ka shërbyer disa asist për shokët e ekipit të tij. “Lideri” i treshes braziliane te skuadra e drejtuar më parë nga Ilir Qirjako e tani nga Agim Canaj, nuk ka shënuar asnjë gol në gjashtë javët e para të Kategorisë Superiore, ku Gramozi po bën edhe debutimin e tij historik. Gjithsesi, tifozeria kolonjare është e sigurt se do të shijojë golat vendimtarë të brazilianit, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ngjitjen për herë të parë të Gramozit në kompeticionin elitar. Gramozi në javën e shtatë do të luajë në transfertë me Apoloninë, një nga tre ekipet më të mira të këtij sezoni.

Çaushaj: “Shkumbini do të ngjitet”

Mesfushori i majtë i Shkumbinit, Ilirjan Çaushaj, me dy golat e tij ishte “vrasësi” i Teutës në fitoren e thellë 4-1 ndaj durrsakëve në javën e gjashtë të Kategorisë Superiore. Ish-lojtari i Dinamos, Teutës e Flamurtarit është ambientuar shumë mirë në sezonin e tij të parë me skuadrën peqinase, pavarësisht se tashmë nën urdhrat e trajnerit të dytë sezonal të Shkumbinit, Kristaq Mile, ish-futbollisti i Shpresave luan në qendër të mesfushës. Vetë përmetari premton se ka për t’i dhënë më shumë ekipit në ndeshjet në vazhdim për të çuar Shkumbinit shumë më lart se sa në pozicionin në të cilin ndodhet. Peqinasit do të udhëtojnë në Shkodër në përballjen e radhës, ndaj një Vllaznie të shumë të etur për pikë, pasi formacioni kuqeblu ndodhet në vendin e fundit.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›