Laskaj: S´mund t'i kontrolloj kandidatët
19/04/2005 Inspektorja e Inspektoriatit të Pasurive, Fatmira Laskaj, ka bërë të ditur dje se institucioni që ajo drejton nuk e ka të drejtën që të kontrollojë pasuritë e kandidatëve për deputetë. Sipas saj, ligji përcakton se vetëm deputetëve mund t'u kontrollohen pasuritë dhe jo pretendentëve për të marrë mandatin. Deklarata e Laskajt ka ardhur vetëm një ditë pasi ambasadori i Këshillit të Evropës, Luts Saltzman, është shprehur se partitë nuk duhet të paraqesin kandidatura që kanë interesa të ngushta ekonomike. Laskaj shprehet se e vetmja rrugë për të kontrolluar pasuritë e këtyre kandidatëve është verifikimi prej vetë partive politike. Sipas saj, forcat politike kanë mundësitë e plota që të marrin të dhëna mbi interesat e kandidatëve të tyre, ndaj dhe duhet të marrin masa që të frenojnë një fenomen të tillë të mundshëm.