Top-Fest, një tjetër spektakël i parametrave evropianë

19/04/2005 Edicioni i dytë i Top-Fest, u mbyll, dje në Pallatin e Kongreseve, mes duartrokitjesh dhe një entuziasmi rinor të pafund. Si rrallë herë spektatorët, që kishin mbushur plot e përplot sallën, demonstruan vetëm një atraksion ndaj këngëve konkuruese, në tërësinë e tyre, por edhe një njohje të plotë të këngëve, të cilat nuk hezituan aspak t'i këndojnë së bashku me këngëtarët. Kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes, pasi përpos këtij entuziasmi rinor, ky edicion vërtetoi se edicioni i kalur ishte vetëm një fillim (ndoshta jo dhe aq i mbarë). Pas spektaklit "100 këngët e shekullit", që ka startuar 6 javë më parë në televizionin kombëtar Klan, një spektakël që shënoi fillimin e një kapitulli të ri në jetën e televizioneve shqiptare, vjen një tjetër spektakël e pikërisht, Top-Fest, si një provë e pakontestueshme e ecurisë cilësore në produksione të tilla të mëdha. Ajo ç'ka teleshikuesit ndoqën dje në Pallatin e Kongreseve, nuk kishte asgjë më pak se evendimente të ngjashme, që kemi parë apo vazhdojmë të shohim në kanale të ndryshme në mbarë botën. Dhe këtu nuk flasim thjesht për efekte, por për konceptime regjisoriale, të cilat të bëjnë të shijosh një spektakël edhe pse muzika nuk korrespondon me shijet e gjithkujt. Madje, kjo mund të konsiderohet një sukses më vete. Natyrisht, teknologjia është një diçka shumë e rëndësishme në ditët tona, por ajo nuk mund të shërbejë, kur mungojnë konceptet apo perceptimet moderne. Eshtë diçka krejt e veçantë të shikosh të rinjtë në sallë të jetojnë 100% me spektaklin dhe ndoshta organizatorët e festivaleve të ngjashme, do të kenë mundësinë të veprojnë me bazë këtë eksperiencë, edhe për vetë ndjekjen që i bëri publiku në skenë dhe jashtë saj. Një konceptim tepër i realizuar nga regjisori Treni, i cili mundi të krijonte të njëjtat ndijesi që ka dikush, kur sheh koncerte të mëdha grupesh muzikore apo festivale të ndryshme të këtyre parametrave. Një spektakël që u përshëndet dhe i vlerësuar nga të gjithë, por, mbi të gjitha, një ogur i mirë për të gjithë teleshikuesit shqiptarë, që shpresojnë të shijojnë programe gjithnjë e më cilësore, për të mos ta ndjerë të nevojshme të ndërrojnë kanalet drejt programeve të huaja satelitore. Ndoshta, kjo kohë nuk do të jetë e largët...