E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS miraton metodikën të pandryshuar

19/04/2005  Komisioni Bujqësisë shqyrton sot amendamentet

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur të miratojë metodikën e kthimit dhe të kompensimit të pronave. Burimet kanë bërë të ditur se vendimi është marrë në unanimitet, por kjo nuk do të thotë se në mbledhjen e Komisionit të Bujqësisë nuk do të ketë propozime për ndryshime të formulës së vendosjes së çmimit të tokës. Kjo dhe për vetë faktin se vendimi i grupit është i vlefshëm për qëndrimin që do të mbahet gjatë seancës parlamentare. Megjithatë, duket se vendimi që ka marrë Komisioni parlamentar i Ekonomisë do të jetë dhe forma që do të gjejë mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvend. Ndërsa sot në Komisionin parlamentar të Bujqësisë do të zhvillohet debati i fundit mbi çështjen e metodikës së pronave. Në këtë mbledhje, demokratët kanë paralajmëruar se, do të ketë propozime për të ndryshuar formulën e vendosjes së çmimit të truallit, në procesin e kompensimit. Sipas demokratëve, formula e paraqitur është bazuar në rregullat e vjetra të urbanistikës. Ndaj dhe pritet që të paraqitet amendamenti që do të parashikojë dyfishimin e këtij çmimi. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga deputetët e PS-së, të cilët kanë vlerësuar se formulat e dhëna nga Komiteti Shtetëror parashikojnë një çmim të lartë. Burimet thanë se, në rast se demokratët do të tërhiqen nga pretendimet e tyre, nuk do të ketë propozime për të ndryshuar formulat. Ndërsa në mbledhjen e Grupit parlamentar është theksuar se parlamenti nuk do të vendosë çmime për tokën në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, por vetëm miraton mënyrën se si do të arrihet në vendosjen e çmimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›