E Diel, 1 Nëntor 2026

Lauka: “Prioritet, shtimi i vendeve që njohin Kosovën”

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, ka deklaruar se aktiviteti i tij diplomatik në Kosovë fillimisht do të ketë si prioritet shtimin e numrit të shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe shtetin e ri. “Puna e parë që kërkohet aktualisht është njohja në nivele ndërkombëtare, pra njohja nga subjektet ndërkombëtare, pasi sa më shumë shtete ta njohin pavarësinë e Kosovës, aq më mirë do të jetë”, - është shprehur Lauka, i cili është i pari ambasador zyrtar në Prishtinë pas shpalljes së pavarësisë dhe është emëruar nga Këshilli i Ministrave më 19 shkurt si ambasador i Shqipërisë në Prishtinë.
Përpara këtij emërimi, Islam Lauka mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Lauka ka marrë pjesë në një sërë konferencash ndërkombëtare, ku si temë ka qenë pikërisht çështja e Kosovës.
Z. Lauka, si i konsideroni deri tani marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona?
Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer gjithnjë eksperienca të përbashkëta. Tani ato thjesht vetëm janë forcuar edhe më shumë. Në përmbajtje do të ketë një zgjerim të marrëveshjeve, do të ketë një shtim të jashtëzakonshëm të tyre dhe një konsolidim në aspektin ligjor. Do të nënshkruhen marrëveshje të reja, që sigurisht do të intensifikohen në fusha që deri dje ishin të pamundura që të zhvilloheshin.
Cili është qëllimi i këtyre marrëdhënieve?
Qëllimi i këtyre marrëdhënieve është zhvillimi i dy vendeve fqinje, dy vendeve vëllezër, pasi zhvillimi i këtyre marrëdhënieve do të çojë në një integrim të mëtejshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por gjithmonë integrim në kuadër të integrimeve ballkanike dhe integrimeve europiane.
Ku do të përqendroheni më tepër në aktivitetin tuaj diplomatik?
Unë së pari punën time do ta përqendroj në ndihmën që duhet të japim në shtimin e numrit të shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe këtë shtet të ri. Puna e parë që kërkohet aktualisht është njohja në nivele ndërkombëtare, njohja nga subjektet ndërkombëtare, pasi sa më shumë shtete ta njohin, aq më mirë do të jetë. Një tjetër sfidë është edhe puna për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare e rajonale, si psh në Organizatën e Europës Juglindore, në atë Adriatiko-Joniane, në iniciativën e Europës Qendrore, por edhe në organizata më të gjera, si OSBE, ndërkohë që qëllimi final mbetet OKB-ja.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›