Laura Bush: Xhorxh s’ka dështuar
Zonja e parë amerikane në largim, Laura Bush, e ka vlerësuar bashkëshortin e saj si një njeri të madh. Sipas saj, presidenca e Xhorxh Bushit “nuk ka qenë një dështim”. Në një intervistë për “Fox Neës”, Laura ka kujtuar sukseset e bashkëshortit: pamundësia e terroristëve për të goditur Amerikën pas 11 shtatorit 2001, rrëzimi i Sadam Huseinit, liria për miliona njerëz në Irak dhe Afganistan, programet humanitare në Afrikë e në vende të tjera. “Një ditë historia do t’i japë të drejtë”, tha zonja Bush. Laura madje ka vlerësuar edhe incidentin ku i shoqi u godit me këpucë nga një gazetar irakian gjatë një konference në Irak, “Kjo është një tregues që irakianët tani janë të lirë të shprehin mendimin tyre”, tha ajo. Por në mënyrë absolute, ajo nuk e ka mbrojtur këtë akt duke shtuar se çështja mbetet përsëri “një tentativë për agresion” kundër të shoqit të saj, që gjithsesi në këtë rast u tregua “një atlet natyral”. Zonja Bush ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se lufta në Irak ka bërë që amerikanët të humbasin objektivin e tyre më të rëndësishëm: luftën kundër terroristëve në Afganistan.