Qirinjtë shkrumbojnë kishën 200-vjeçare të Nartës
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Një zjarr i papritur shkrumboi dje kishën 200-vjeçare të Nartës. Përpjekja e banorëve dhe më pas zjarrfikëseve, për të shpëtuar këtë ndërtesë kulti fetar, rezultoi e kotë. Flakët përpinë pjesën e çatisë e më pas ato anësore. Për pasojë, 90 për qind e ikonave të kësaj kishe u dogjën, ndërsa të tjerat pësuan dëmtime të rënda. Mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 11:00. Banorët kanë vënë re shtëllunga të dendura tymi nga çatia e kishës Shën e Diela. Ata hapën derën e saj me forcë, por flakët kishin përfshirë gjithë pjesën e saj të brendshme. Banorët njoftuan zjarrfikëset, ndërsa u munduan të vepronin edhe vetë me mjete rrethanore për të shpëtuar objektin, ku ata kryenin ritet fetare në raste festash, të dielave si dhe ditë të tjera të shënuara. Është dashur një orë që zjarrfikëset të mund të lokalizonin flakët. Por pasojat e këtij zjarri rezultuan të rënda. Kisha brenda saj ishte djegur, ndërsa shumë ikona dhe sende të pikturuara u shkrumbuan. Mësohet se dëmi është tepër i madh. Vetëm një shandan kushtonte 800 euro. Sipas banorëve dhe priftërinjve, shkaku i zjarrit dyshohet të jenë qirinjtë që janë lënë ndezur. Mbasi fiken ato hidhen në një kosh, por dyshohet se ndonjëri prej tyre është hedhur ndërsa ishte ende i ndezur, çka ka provokuar flakë duke përfshirë më pas gjithë kultin fetar. Kisha daton që prej vitit 1808. Ajo frekuentohej nga banorët e gjithë zonës, të cilët besonin në fenë e krishterë. Prej disa ditësh kisha kishte qëndruar e hapur për shkak të festave të Krishtlindjeve. Edhe dje paradite dyert e kishës kishin qenë të hapura për besimtarët. Ajo ishte mbyllur vetëm disa minuta përpara se të përfshihej në flakë. “30 minutash pasi është mbyllur, pamë që kisha po digjej” pohuan banorë të Nartës. Sipas tyre, ky objekt ishte tepër i shenjtë për ta, ndërsa frekuentohej rregullisht nga qindra besimtarë. Madje kisha vizitohej edhe nga turistë të shumtë që shkonin në Nartë. Banorët dhe prifti që shërben në këtë kishë nuk mendojnë se zjarri mund të jetë vendosur me qëllim. Ata e konsideruan ngjarjen aksidentale. Megjithatë, policia bëri të ditur se ka nisur hetimet. Kisha është ndërtuar 200 vite më parë dhe që prej asaj kohe është rikonstruktuar disa herë. Ditët e fundit Shën e Diela është vizituar nga qindra banorë të Nartës dhe të Vlorës, por dhe të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e festave të Krishtlindjeve.