Taçi vendos rekord, paguan Milanin më shtrenjtë se sheikët apo pasanikët evropianë
Blerësi i ARMO-s, që edhe sot e kësaj ditë nuk ka saktësuar ende, nëse ka derdhur ndonjë pará në buxhet të shtetit duke u fshehur pas manovrave të ndryshme, nuk ka kursye 1.7 milionë euro për të marrë në Shqipëri ekipin e Milanit, duke vendosur kështu një rekord më vete për klubin e kuqezinjve.
Rezart Taçi, i cili solli këtë klub në Tiranë dhe bashkë me drejtuesit e tij ia behu në zyrën e kryeministrit, ka paguar për një miqësore të Milanit më shumë se sheikët arabë apo sesa pasanikët e Gjermanisë dhe Skocisë.
Së fundmi, Taçi është përfshirë në një tjetër manovër skandaloze të qeverisë, e cila i ka dhënë atij tregun e naftës D2 në vendin tonë, duke krijuar një monopol të frikshëm.
Më poshtë vijon materiali i përgatitur nga Top Channel në lidhje me pagesën stratosferike të Taçit për Milanin.
Taçi kishte deklaruar gjithashtu në përfundim të miqësores ku Tirana “rrëzoi” milanezët, se do e bënte traditë turneun “Taçi Oil”.
Fitorja e Tiranës ndaj Milanit të madh ka kushtuar 1.7 milionë euro. Është e përditshmja sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, ajo që ka publikuar shifrat zyrtare të derdhura në arkën e klubit të Berluskonit për ardhjen ne kryeqytetin shqiptar.
Në shkrimin e kësaj gazete, ku publikohen të ardhurat edhe nga turnetë e tjerë, shihet se miqësorja e Tiranës mban vendin e parë, pasi ka kontribuar më shumë në rritjen e të ardhurave të klubit italian, duke sfiduar edhe manjatët arabë të naftës, skocezët apo edhe gjermanët.
Me sa duket qëllimi kryesor i drejtuesve të Milanit në mungesë të burimeve financiare që mund të vinin prej Champions League, këtë sezon është ekspozimi i lojtarëve të saj në turne miqësorë për të mbledhur sa më shumë pará.
Të mërkurën kuqezinjtë do të luajnë miqësoren e fundit të sezonit në Katar, ku klubi do të përfitojë 1.5 milionë euro, shifër kjo që renditet e dyta pas asaj të Tiranës në klasifikimin e të ardhurave.
Për miqësoren me Hamburgun, e zhvilluar në Dubai, janë përfituar 500 mijë euro, për atë me Hannoverin, 600 mijë dhe 800 mijë në miqësoren e Glasgout.
top-channel.tv