Mashtrimi i Berishës me çështjen e burimeve të informacionit të gazetarëve
Kryeministri, Sali Berisha, mashtroi hapur dje, kur tha në mbledhjen e grupit parlamentar se kjo administratë nuk iu ka kërkuar dhe nuk do iu kërkojë kurrë gazetarëve që të tregojnë burimin e informacionit. Berisha e bëri deklaratën duke komentuar raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Por, ka qenë vetë kryeministri, Sali Berisha, i cili, duke folur për mediet para disa muajsh, kur dhe sulmoi hapur kryeprokuroren, Ina Rama, deklaroi se kishte detyruar gazetaren e një televizioni që t’i tregonte burimin e informacionit për një kronikë.
Sigurisht, jo direkt, por Berisha tha se kishte telefonuar drejtorin e këtij televizioni dhe ai i kishte dhënë burimin e informacionit.
Gjithçka është e zbardhur në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe mban datën 13 tetor 2008.
“Janë një seri raportesh ndër më seriozet ndërkombëtare, të cilat deklarojnë e zeza mbi të bardhë se qeveria shqiptare në tërësi respekton liritë dhe të drejtat, se qeveria nuk ka ndërhyrë në politikat editoriale të medieve dhe se ajo mund të kritikohet lirshëm publikisht dhe privatisht nga qytetarët dhe se në Shqipëri nuk ka pasur asnjë proces civil apo penal ndaj gazetarëve, standard unik ky në mbarë botën.
Dy janë shtyllat themelore të lirisë së shtypit; së pari liria e tyre për të raportuar të gjitha konstatimet e tyre, së dyti liria e tyre për të mbrojtur burimin e informacionit. Ka tre vjet dhe po bëhen katër që asnjë gazetari, asnjë publicisti, asnjë editorialisti, çfarëdo që të ketë botuar, nuk i ka kërkuar njeri burimin e informacionit, përveçse në një rast prokuroria një gazetari, që, pasi i kishin shitur prokurorët informacionin, i kërkonin gazetarit nga e kishte marrë këtë informacion duke dëshmuar se nuk ishin prokurorë, por ishin matrapazë. Kjo është e vërteta dhe kjo administratë nuk do t`iu kërkojë ndonjëherë burimin e informacionit gazetarëve”, - tha dje Berisha.
Të kundërtën ka deklaruar disa muaj më parë.
“Dua të informoj shqiptarët se krahas angazhimit të madh për të zbardhur të vërtetën mbi çështjen Trebicka dhe jashtë çdo tendence politike, në Prokurorinë e Përgjithshme u bënë përpjekje të mëdha për të deformuar të vërtetën. Gazetares së një televizioni kombëtar iu kërkua nga një prej prokurorëve kryesorë të çështjes, që të informonte shqiptarët se nuk do të jetë ekspertiza e ekspertit amerikan që do të përcaktojë vendimin, pasi për këtë gjë ishte marrë një ekspert i pavarur. Do t’i lutem këtij televizioni kombëtar të ketë njerëzinë ta ritransmetojë këtë kronikë, për ta dëgjuar të gjithë shqiptarët. Një ndër shikuesit e këtij televizioni isha edhe unë, që pas transmetimit të saj, komunikoj me drejtuesin e TV dhe i them se si ka mundësi kjo gjë. Vendi ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për këtë çështje. Pas kësaj, drejtori i këtij televizioni i kërkoi sqarime gazetares dhe ajo i tha emrin e prokurorit që i kishte kërkuar formulimin e këtij lajmi. Unë nuk e kam bërë publike këtë gjë, por natyrisht kam mbajtur shënime”, - tha Berisha më 13 tetor 2008.