E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laureta Meçi - Një shqiptare në Hollywood

GOSSIP PANORAMA 

Edhe pse larg, përtej oqeanit prej vitesh ajo ka mundur të tregojë vlerat e saj si artiste: një aktore e talentuar dhe
    këngëtare plot energji. Brenda pak kohësh nga ikona e produkteve kozmetike në të gjithë Amerikën, Laureta Meçi hyn në cast-in e aktoreve më të vlerësuara të filmave dhe seriale aksion "Shadow Kill", "Stargate", "Battle Star Galactica" dhe "Andromeda". Përpos projekteve të shumta që mbushin axhendën e saj të përditshme, ajo flet për rrugën e vështirë që ka ndjekur për të shkelur në studiot e Hollywood-it, si u identifikua talenti i saj në Amerikë, në vendin e mundësive të mëdha si dhe suksesi që vulosi me filmin "Shadow Kill".
Kush është Laureta Meçi, vajza që ka pushtuar aktualisht kinematë amerikane?
Unë jam lindur në qytetin e Kuçovës, ndërsa prindërit e mi janë nga Zagoria. Në Kuçovë kam kaluar fëmijërinë time, arsimin e ulët dhe atë të mesëm deri në qershor të 1995, pastaj lindi nevoja për të emigruar familjarisht në Greqi. Si të gjithë të rinjtë që kanë ëndrra, objektiva e synime për jetën dhe të ardhmen e tyre, kam ëndërruar që shpejt për të studiuar dhe për t'u angazhuar në fushën e artit, të cilat i kam bërë dhe po i bëj realitet.
Nga Greqia, si u gjendët në Amerikë dhe pse pikërisht këtu?
Sigurisht, për të realizuar këto zgjodha Amerikën, duke e parë atë si vend të mundësive të mëdha dhe fillova përpjekjet për të realizuar ardhjen aty. Në shkurt të 1998 mora vizën studentore në ambasadën amerikane në Athinë dhe u nisa për t'u stabilizuar në Nju Jork, ku jam edhe sot. Kujtoj që fillimisht, me gjithë përpjekjet për t'u integruar shpejt, përziheshin emocionet e fillimit të realizimit të ëndrrave, me vështirësitë e shumta të ambientimit, aq më tepër që më duhej të punoja, studioja njëkohësisht. Shkollës dhe punës i jam përkushtuar maksimalisht në 3-4 vjetet e para të qëndrimit tim në Nju Jork. Aty ekzistonin dhe ekzistojnë dritaret e integrimit për këdo që nuk i mungon përkushtimi.
Sa e vështirë ka qenë për një vajzë që vinte nga Shqipëria, për të arritur këtë karrierë që keni ju aktualisht në Hollywood?
Ne jemi të barabartë me të gjithë të tjerët për t'u përfaqësuar dhe për të bërë karrierë, pasi cilësitë intelektuale dhe artistike nuk mungojnë. Vështirësitë nuk vijnë nga vendi që vjen, por vijnë nga faktorë të tjerë si: theksi i anglishtes, paraqitja mesdhetare, mundësitë e stabilizimit dhe ato ekonomike të cilat herë-herë mund të jenë në disfavorin tonë si emigrantë.
Cila ka qenë sprova jote e parë për të hyrë në kinema?
Dërgoja pothuajse çdo muaj CV bardh e zi dhe shkoja në audicione të ndryshme, por shpeshherë nuk fitoja. Mundohesha të mos dekurajohesha dhe pas disa muajsh përpjekjesh u zgjodha për filmin fantastiko-shkencor "Shadow Kill" dhe ishte vërtet sukses.
Tani keni disa role mjaft të vlerësuar, a keni menduar ndonjëherë që edhe kinemaja shqiptare mund të ketë kontributin tënd?
E mendoj jo njëherë, por gjithnjë. Sinqerisht jam shumë e predispozuar që edhe kinemaja shqiptare mund të ketë kontributin tim. Mendoj e dëshiroj të mos mbetet shpresë kjo dëshirë e imja. Së shpejti dua të realizoj lidhje me organizatat e artit në Shqipëri.
A ndihesh e vlerësuar nga artistët amerikanë për prejardhjen tënde? Je ndier ndonjëherë e diskriminuar?
Të them të drejtën në më të shumtën e rasteve duhet t'u shpjegoj për Shqipërinë dhe prejardhjen time, pasi jo të gjithë janë të familjarizuar. Them me kënaqësi në përgjithësi, se të paktën në të gjitha ambientet ku kam zhvilluar aktivitete artistike nuk njihet fjala diskriminim.
Cilat kanë qenë bashkëpunimet e tua me aktorët e mëdhenj dhe si kanë reaguar kur u ke thënë që je shqiptare?
M'u dha mundësia në festivalin e madh të filmit në Florida të takoj dhe bashkëpunoj me aktorin Michael Bailey Smith, i cili luan në filmin "Men In Black" dhe kur ju prezantova nga Shqipëria pashë një reagim dhe qëndrim normal, asnjë simptomë nënvleftësimi gjatë bisedës sime me të. Në përgjithësi, bisedat që kemi pasur kanë qenë tepër inkurajuese me sensin që këtu në Amerikë gjithçka mund të arrihet dhe realizohet, pa dallim nga vendi që vjen dhe kush je!
Pas kinemasë keni provuar edhe këngën, ishte një pasion i yt apo donit të eksperimentonit me diçka ndryshe?
Ka qenë dhe është pasion, dëshirë dhe aspak një variant eksperimentimi. Është dashuria ime dhe ëndrra më e madhe.
Kënga juaj e parë u shoqërua me një videoklip që pati shumë sukses, mendoni se një variant do të jetë edhe në shqip?
Kam punuar për këtë këngë dhe videoklip me artistin e talentuar Brian Rund, i cili më dha mundësinë dhe besoi në talentin tim në këtë projekt, që u shoqërua nga kompozitorët Lisa Tan dhe Andy Avitabile. Varianti i këngës "Respect Me" për momentin do të jetë vetëm në anglisht, por ju premtoj që jam duke punuar me disa këngë të tjera në shqip.
A ju josh skena shqiptare për të kënduar?
Plotësisht. Kjo do të jetë kënaqësia ime më e madhe, pra që të këndoj në skenën shqiptare dhe vetëm për publikun shqiptar.
Në planet tuaja, çfarë vendi zë Shqipëria?
Zë vendin kryesor. Siç e përmenda edhe më lart, jam duke punuar me disa këngë në shqip dhe ndoshta kjo do të pasohet me veprimtari të tjera, të cilat do të mundësojnë dhënien e kontributin tim edhe në skenën shqiptare qoftë në muzikë apo kinema.
Keni prej kohësh një imazh dhe formë trupore të kënaqshme, cili është sekreti?
Formës trupore i përkushtoj një kujdes normal, marr disa orë kërcimi dhe më kryesoja është fakti që përdor shumë lëngje, sidomos ujë. Përsa i përket imazhit tim i kushtoj kujdes maksimal dhe mundohem të jem gjithmonë në kontroll total. Garderobën e përzgjedh vetë dhe nuk më pëlqen që të ndjek modelet e reja të veshjeve, por dua t'i krijoj vetë ato. Më pëlqen stili unik.
Aktualisht jeton e pavarur nga familja?
Sigurisht. Jetoj e pavarur nga familja pothuajse prej plot 10 vjetësh.
Kush është mashkulli yt ideal dhe a e ke takuar atë tashmë?
Gjithmonë i shmangem kësaj pyetjeje, por mund t'ju them shkurt, që e kam takuar mashkullin tim ideal. Është një njeri që kërkon shumë nga vetja, i pajtueshëm me mua dhe me sens humori.
I je dikujt mirënjohës për atë që ke arritur deri tani?
Mirënjohëse i jam menaxherit dhe producentit tim John Bailey, për oportunitetin, besimin dhe inkurajimin e tij gjatë këtyre viteve.

Ina dhe Poli fundjavë në Sarandë

Protagonistët e "Big Brother", këtë fundjavë janë zhvendosur nga kryeqyteti drejt Sarandës për të pushuar. Nuk ka munguar as çifti i njohur, Poli dhe Ina, të cilët nuk mungojnë në asnjë aktivitet, ku marrin pjesë ish-banorët e tjerë të "Big Brother". Ata që ndodhen shumë afër çiftit simpatik rrëfejnë se ata vijojnë të kenë një ndjenjë të fortë ndaj njëri-tjetrit. Edhe pse nuk kanë bërë deri tani asnjë hap tjetër, përveçse kanë deklaruar që lidhja e tyre po ecën për së mbari, miqtë e tyre rrëfejnë se ata mezi zgjohen në mëngjes, madje janë banorët e tjerë që trokasin në dhomën e çiftit, për t'i zgjuar. Por duket se ky ritual ndodh vetëm kur ata janë jashtë Tirane dhe asnjëherë kur gjenden pranë familjeve të tyre, të cilat edhe pse tashmë e dinë së lidhja e tyre dashurore është bërë mëse publike, asnjëherë nuk preferojnë të kalojnë kohë në shtëpitë e tyre respektive, prandaj duan që të qëndrojnë sa më larg kujdesit prindëror.

Olsi dhe Najada pushime në Kosovë

Që nga hera e fundit që u shfaqën në natën e spektaklit  "Brenda-Big Brother", Najada dhe Olsi kanë preferuar të mos frekuentojnë rregullisht pjesën tjetër të grupit, por duket se kanë bërë gati një axhendë udhëtimi dhe janë drejtuar në fundjavën e shkuar drejt Kosovës. Mësohet se një ftesë miqsh ka qenë arsyeja që ata kanë zgjedhur kryeqytetin e Kosovës për të pushuar, ndoshta arsyeja kryesore ka qenë edhe moti jo fort i përshtatshëm për plazh, prandaj edhe kanë zgjedhur një tjetër klimë. Çifti ka udhëtuar i vetëm drejt Kosovës me makinën e Najadës, duke mos preferuar të udhëtojë drejt Sarandës, ku ishin ftuar në fundjavë të gjithë banorët e "Big Brother". Por duket se Olsi dhe Najada, kanë zgjedhur të njëjtën strategji që ndoqën javën e shkuar, duke mos shkuar në Vlorë për të pushuar, por në një tjetër vend, vetëm për hesap të tyre, larg debateve me banorët e tjerë.

Elvana Gjata një klip me imazhe seksi

Elvana Gjata, këngëtarja e shpallur si më seksi për vitin 2007, promovon sot këngën e saj më të re, për sezonin e verës. Do të jetë pikërisht televizioni "Supersonic", ai që do të lançojë së pari këngën, që ka marrë përsipër edhe realizimin e videoklipit. Ka pak ditë që disa nga momentet e backstage janë shfaqur në ekran, për të ngjallur kërshërinë e shikuesve, por duket se kënga do të marrë start, mëngjesin e sotëm. Nga informacionet që kemi marrë flitet se Elvana kthehet në skena mjaft të nxehta në këtë videoklip, duke kërcyer mbi një shtrat, duke u shfaqur më pas në det, e veshur, shumë seksi dhe me një këngë që duket se ia dedikon vetvetes, pasi edhe titulli është "Vetes". Klipi është xhiruar në disa prej vendeve më ekzotike në Shqipëri dhe pritet që të jetë një nga klipet më të mira të vitit. Producentët, madje janë shprehur se ky nuk do të jetë një vidoeklip i thjeshtë, por një film artistik me metrazh të shkurtër. Por përpos projektit të lançimit të videoklipit, këngëtarja ka preferuar që premiera e shfaqjes së videoklip të saj të ri të jetë në Kosovë dhe jo në Shqipëri, ku edhe është zhvendosur që në fund të javës këngëtarja shqiptare. Pritet që premiera të mbahet në fundjavë edhe në Tiranë, surpriza që pritet të zbulohen në ditët në vijim.

Vesa Luma “Kthehem pas provimeve”

Edhe pse së fundmi deklaroi se do të kthehet sërish në ekran me një tjetër videoklip, të shkëputur nga albumi i saj i fundit, duket se Vesa Luma do të lërë pak jashtë vëmendjes projektet muzikore, për të qenë më e përqendruar me provimet. Për të gjithë që nuk e dinë, Vesa është në vitin e fundit të studimeve universitare, madje pritet që këtë muaj ajo të diplomohet në degën Komunikim Masiv, pra Gazetari. Pak para publikimit të videoklipit të ri, Vesa premton për fansat e saj se kënga e saj e re, do të kthehet në një hit të stinës së verës. Duket se shkak për këtë vonesë të shkurtër, mësohet se ka qenë mungesa e një titulli, të cilin ende këngëtarja nuk e ka gjetur dhe tashmë pret që në fund të muajit të lançojë klipin dhe këngën e saj më të re. Teksti flet për një vajzë e cila dhe pse e ka lënë i dashuri, nuk do ta lërë atë të largohet prej saj, kjo është edhe arsyeja që ajo ende ndihet e pasigurt. Ndërkohë një tjetër emër i njohur i muzikës që pritet të diplomohet sivjet në universitet, është pikërisht mikesha e ngushtë e Vesës, Rona Nishliu. Nga ana tjetër Vesa ka premtuar se pas përfundimit të studimeve të larta, në muajin tetor do të ndjekë studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Diplomatike.

Jackson nga këngëtar do bëhet stilist

Pas dështimit në skenën e muzikës, këngëtari Michael Jackson i futet fushës së modës. Duket se borxhet e shumta e kanë shtyrë këngëtarin që së fundmi të firmosë një kontratë me Christian Audigier, për të ideuar një linjë veshjesh të personalizuara, pra që do të mbajnë markën e tij. Projekti i cili duket se deri tani mbahet shumë sekret nga këngëtari, tashmë është bërë publik, por nuk dihen detaje të tjera të këtij biznesi që ka menduar t'i futet mbreti i muzikës pop. Në Amerikë po flitet për një rikthim të madh të Jackson, pas momenteve aspak të këndshme që kaloi me gjykatën, duke rrezikuar edhe fermën e tij Neverland.

Kidmanpozon nudo në revistën "Vogue"

Aktorja Nicole Kidman pozon nudo për revistën "Vogue", ashtu si bëri kohë më parë Demi Moore, por ndryshe nga kjo e fundit që ishte shtatzënë, aktorja australiane mban në krah edhe një bebe. Duket se tashmë është kthyer në modë fakti që divat e kinemasë në momentin e shtatzënisë të shfaqen në kopertinat e revistave, ashtu si Britney Spears dhe Christina Aguilera, duke shitur hiret e tyre për mijëra dollarë. Aktualisht aktorja Nicole Kidman ka dy fëmijë të adoptuar me ish-bashkëshortin Tom Cruise, Isabella dhe Connor, ndërkohë që nga martesa e saj e fundit pret fëmijën e parë biologjik me këngëtarin Keith Urban.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›