E Diel, 1 Nëntor 2026

Lavazhet e makinave rrezikojnë furnizimin me ujë gjatë sezonit

VLORE – Lavazhet e makinave në qytetin e Vlorës dëmtojnë rrjetin e ujit të pijshëm të qytetit, duke krijuar probleme për qytetarët. 

Me fillimin e sezonit të ri turistik, shtimi i banorëve të qytetit do të sjellë edhe shtim të numrit të lavazheve, çka do të thotë më pak ujë i pijshëm në rubinetet e qytetarëve. Sipas kreut të ujësjellësit të qytetit bregdetar, Viron Hysi, ky fenomen është bërë shqetësues për ndërmarrjen që ai drejton dhe se së shpejti do të ngrihet një strukturë që do të evidentojë dhe marrë masa ndaj lavazheve që abuzojnë me ujin e pijshëm. Kjo strukturë Task Force do të ngrihet në bashkëpunim me bashkinë e qytetit. Mësohet se dëmet e shkaktuara në rrjet nga pronarët e këtyre lavazheve i kushtojnë shumë ndërmarrjes së ujësjellësit për t’i riparuar. Ndërhyrja prej këtyre lavazheve në tubacionin kryesor të qytetit ka sjellë jo pak raste kur banorë pranë tyre janë ankuar në drejtorinë e ujësjellësit dhe në bashkinë e qytetit, pasi uji nuk ngjitet më shumë se në katet e para të pallateve. Shpeshherë këto ankesa kanë bërë që bashkiakët të kryejnë mbylljen e disa prej tyre, por ajo nuk zgjat shumë pasi ato shumë shpejt hapen sërish. Por problem tjetër që i shoqëron këto lavazhe është edhe afërsia e tyre me rrugën automobilistike. Rrjedhja e vazhdueshme e ujit ka shkatërruar shtresën e asfaltit të rrugës duke krijuar gropa të shumta. Bëhet e ditur se nga hyrja e qytetit deri në zonën e Ujit të Ftohtë ushtrojnë aktivitetin mbi 30 lavazhe, ndër të cilat vetëm 7 prej tyre kanë leje të ushtrimit të aktivitetit nga bashkisë.          q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›