E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një profesor shqiptar, mes prijësve botërorë të shkencës

Me një Curriculum të cilin gjithkush që i përket ose jo fushës së tij do ta kishte zili, por edhe me kërkimet e shumta shkencore, të cilat kanë kaluar përtej kufijve të vendit tonë Prof. Dr. Kristaq Bërxholi ka marrë së fundmi një vlerësim jo të vogël. 

Qendra  Ndërkombëtare e Biografive (në Kembrixh të Anglisë) ka nisur në adresë të tij ftesën për të qenë anëtar i grupit të shkencëtarëve të botës, duke i dhënë titullin “Leading Scientists of the world 2008” (Prijësit botërorë të shkencës për vitin 2008). Një sërë biografi nga burime të ndryshme janë investiguar nga departamentet përkatëse të Qendrës Ndërkombëtare të Biografive çdo vit. Kjo për të përfshirë pjesë të tyre në referencat e rinovuara të librave tanë. Shumë prej punimeve të tilla i përkasin personave që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në  parimet lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju jeni një nga këta kontribuues”, thuhet në letrën që Nicholas S. Law, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare të Biografive në Kembrixh i ka nisur Prof. Dr. Bërxholit. Për këtë arsye, sipas IBC ai është konsideruar dhe nominuar për t’iu bashkuar kësaj qendre. “Si mbajtës i këtij titulli, ju mund të jeni i sigurt për vendin që ju keni në historinë tonë, duke u kënaqur se puna juaj është jo vetëm e dalluar, por edhe e pranuar si e famshme”, nënvizon letra. Sipas saj çdo vit shumë prej shkencëtarëve të shquar të botës, të famshëm ose jo, nga të gjitha disiplinat do të mbushin këtë listë ekskluzive. Kjo në sajë të punës së tyre, e cila duhet vlerësuar. “Këta janë njerëz që me punën e përditshme të tyre bëjnë diferencën. Që këtej e tutje ju do të jeni në këtë listë për vitin 2008. Besoj se ju do të jeni krenar që emri juaj ka marrë vlerësimin e duhur”, thuhet në letër.
Puna shumëvjeçare.
Mban titullin akademik Doktor në mjekësinë veterinare dhe aktualisht, është pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në CV e tij numërohen dhjetëra kërkime shkencore, shumë prej të cilave botuar jashtë vendit. Me një punë shumëvjeçare mbi supe punimet e tij akademike mund t’i gjesh sot në disa gjuhë të huaja. “Ndihem i vlerësuar që më është dhënë mundësia të jem anëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Biografive në Kembrixh. Janë frytet e një pune që kam bërë me dëshirë dhe pasion”, sqaron Prof. Dr. Kristaq Bërxholi. Ai nënvizon se, disa prej kritereve në bazë të të cilave është përzgjedhur janë numri i studimeve shkencore, botimet e ndryshme shkencore si dhe librat. Ndërkaq, në vlerësim janë marrë edhe pozicionet e tij si përgjegjës i departamentit shkencor në Institutin e Kërkimeve Veterinare, eksperiencën si drejtor i këtij instituti, përgjegjës departamenti në Fakultetin e Veterinarisë. Gjithashtu, Bërxholi që prej vitit 1992 ka qenë udhëheqës në realizimin e një sërë projektesh kombëtare si “Projektit kombëtar të zoonozave”, drejtues i projekti FAO në vendin tonë për sëmundjet me përhapje të shpejtë. Ndërkaq, nga viti 1998 deri në 2004 ka qenë koordinator i FAO në vendin tonë. Ai ka marrë pjesë një numër të konsiderueshëm konferencash jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›