Lavrov: Takim për paktin e ri të sigurisë së Evropës
Rusia ka bërë thirrje për mbajtjen e një takimi ku do diskutohet një pakt i ri i sigurisë së Evropës. Propozimi rus është bërë gjatë konferencës së OSBE-së që po mbahet në Helsinki. "Padyshim që situata në rajonin e Euro-Atlantikut ka ndikim të madh në situatën e sigurisë në pjesë të tjera të botës. Ne mendojmë se një pakt evropian sigurie do të ketë ndikim pozitiv mbi vendet jashtë zonës Euro-Atlantike. Nëse çështjet e sigurisë së rajonit tonë i vëmë mbi baza më të shëndosha kjo do të parandalojë dyshimet se ndonjë nga vendet tona mund të paraqesë kërcënim për partnerët e jashtëm", tha shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov. Lavrov theksoi se të gjithë vendet dhe organizatat ndërkombëtare në Europë duhet ta mbështesin këtë pakt. SHBA-ja dhe disa shtete europiane e gjykuan si të parakohshëm zhvillimin e një samiti lidhur me riorganizimin e sigurisë europiane. Zyrtarët amerikanë thonë se propozimi rus është përpjekje për të dobësuar NATO-n. Ndërkohë që ishte presidenti francez, Nikolas Sarkozi ai që hodhi në muajin nëntor idenë e një samiti lidhur me këtë temë.