Lazarat, kapet 200 kg hashash i paketuar
Lënda narkotike e prodhuar në Lazarat ishte bërë gati për tu trafikuar në drejtim të Tiranës. Trafikantët i shpëtojnë policisë
GJIROKASTËR- Rreth 200 kilogram lëndë narkotike është sekuestruar në fshatin Lazarat, ndërsa ishte duke u trafikuar drejt kryeqytetit. Transportuesit e saj mundën t'iu shpëtojnë uniformave blu, të cilët nga ana tjetër deklarojnë se kanë mundur të identifikojnë dy prej tyre. Kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur kohët e fundit, që ka si vend të origjinës Lazaratin.
Kanë qenë një sërë informacionesh të marra në rrugë operative nga specialistët e policisë kriminale dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, ato që flisnin për një rast të trafikimit të lëndëve narkotike brenda vendit. Të njëjtat informacione tregonin se vendi i origjinës ishte Lazarati, ndërsa si destinacion droga do të kishte kryeqytetin dhe shkëmbimi do të kryhej në afërsi të rrugës nacionale Gjirokastër- Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë.
Ka qenë ora 04.00 e mëngjesit të së premtes kur uniformat blu kanë ngritur shërbimet policore dhe rreth orës 04. 30 kanë identifikuar trafikantët dhe sasinë e drogës që lëvizte në drejtim të rrugës nacionale. Në momentin kur agjentët policorë kanë dhënë sinjalin për të ndaluar, pesë transportuesit e lëndës narkotike e kanë braktisur atë dhe duke përfituar nga errësira kanë mundur t'i shpëtojnë ndalimit.
Policia ndërkaq ka gjetur në vendin e quajtur "Gropa e gëlqeres" drogën, të vendosur në 8 thasë me 20 kg secili si dhe në një çantë të madhe shpine. Droga është gjetur e presuar dhe e paketuar në pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe, ndërkohë që ka kaluar për ekspertizë të mëtejshme pranë laboratorit kriminalistik.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se janë identifikuar tashmë dy prej trafikantëve të lëndës narkotike, por të dhënat e tyre nuk bëhen publike për arsye hetimi, ndërsa burime konfidenciale pohojnë se ata janë banorë të fshatit Lazarat.
Krahas kërkimeve për kapjen e tyre efektivat blu po punojnë edhe për identifikimin e tre transportuesve të tjerë si dhe personave të përfshirë në këtë rrjet.