Shkodër, lokali kthehet në arenë sherri me armë, plagosen 3 persona
"Kafja e Rremës", një lokal në hyrje të Shkodrës është bërë arenë e një sherri banal, i cili ka përfunduar edhe me shkrehjen e një arme, duke lënë një të plagosur 3 persona. Sipas të dhënave të para të policisë, e cila ka arritur shpejt në lokal, është vërejtur një rëmujë dhe thyerje xhamash në lokalin afër Bunës dhe po ashtu një i plagosur rëndë nga goditja me armë zjarri, i cili është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
I plagosuri në rrezik për jetën quhet Kastriot Mhilli dhe është rreth 26 vjeç me origjinë nga Tropoja, por banues në një nga fshatrat e Shkodrës, i quajtur Rranza afër Bushatit Dy të plagosurit më lehtë janë Tonin Lici dhe Ndoc Miri, por për këto të dy nuk bëhet fjalë për plagosje me armë, por plagë të lehta, të cilat i kanë marrë me sa duket nga një përleshje në lokal, që janë shkaktuar nga goditje me sende të forta. Në fillim të tre janë dërguar të tre në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por me sa duket gjendja e Mhillit ka qenë e rënduar, dhe ai është transportuar në Tiranë. Policia mbas hetimit fillestar ka shpallur në kërkim pronarin e lokalit Muharrem Shkjaun, rreth 46 vjeç, dhe babain e tij Rustem Shkjau. Policia ka vërtetuar se mbasi ka ndodhur një grindje banale midis tre klientëve në lokal dhe pronarit e babait të tij, ka ndodhur edhe një grindje e ashpër dhe pastaj pronari Muharrem Shkjau, ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të Mhillit. Mesa duket në këtë ballafaqim pronari i lokalit është ndihmuar edhe nga i jati Rustem Shkjau dhe tanimë, policia i ka shpallur në kërkim si autorë të plagosjeve në lokalin e tyre. Ngjarja nuk është dokumentuar me imtësi dhe nuk dihet se si ka lindur zënka midis tre klientëve në lokalin ku pronari është detyruar pastaj të nxjerrë një armë me sa duket pa leje, dhe të qëllojë mbi 26- vjeçarin nga Tropoja, por me banim në periferitë e fshatrave të Shkodrës. Tanimë akuza është vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje dhe akuzat i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Shkodër.