E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Nuk duam emrin e Qiqit'

Emri i një mësuesi që e vrau rrufeja kur po shkonte të jepte mësim nga Dropulli i Gjirokastrës në fshatin Lis të Matit, këtu e 35 vjet më parë, është shndërruar në mollë sherri në këshillin bashkiak të Burrelit. Ilia Qiqi, është emri i shkollës së fshatit Lis, ku mësuesi në fjalë kishte ardhur të jepte mësim. Një ditë, një fenomen tragjik natyror bëri që mësuesi të humbasë jetën dhe që nga ajo ditë shkolla mbante emrin e tij. Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Burrelit, një përfaqësi mësuesish dhe nxënësish nga kjo shkollë, kanë dërguar një kërkesë ku shkruhej se ata nuk ishin më dakord që vdekja nga rrufeja e mësuesit Qiqi të konsiderohej si akt heroik. Ata bënin thirrje që shkolla të merrte çfarëdolloj emri tjetër heroi apo date historike, por jo emrin e Qiqit minoritar i cili sipas tyre nuk kishte bërë ndonjë vepër të shënuar përveç rastësisë fatkeqe të të ndodhurit në kohën e gabuar në vendin e gabuar. Përfaqësues të majtë në Këshillin Bashkiak e hodhën poshtë këtë kërkesë dhe e quajtën atë një përpjekje provokuese në vazhdën e nismave të ngjashme që Bashkia e Burrelit ka ndërmarrë edhe ndaj figurave të tjera. Pak kohë më parë, bashkia zhvendosi edhe bustin e heroit kombëtar Skënderbeu nga qendra e qytetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›