Lazaratasit i paguajnë punëtorët me hashash
Prodhuesit e hashashit në Lazarat e ushqejnë vetë policinë me viktima, që ajo të rezultojë e suksesshme në punën e saj
Një punëtor i parcelave me hashash në fshatin Lazarat në Gjirokastër është arrestuar nga policia për posedim të lëndës narkotike, raporton gazeta Shqip.
Lavdim Turtulli, 22-vjeç, nga Librazhdi, është prangosur me pesë kilogramë hashash, të cilën, jashtë dëshirës së tij, e posedonte si shpërblim të punës së kryer tek disa kultivues të hashashit në Lazarat. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në vijim të operacioneve që tentojnë të godasin kultivimin e drogës në Lazarat.
Por Shqip thotë se në këtë pohim publik të policisë, padashur zbulohet lehtësisht fakti i bashkëpunimit mes saj dhe prodhuesve të hashashit të Lazaratit, për të ushqyer policinë me viktima, me qëllim që kjo e fundit, formalisht, të rezultojë e suksesshme në operacionet e saj, që vazhdojnë pa asnjë rezultat prej afro tre muajsh pa bërë goditje të drejtpërdrejtë mbi kultivuesit.